Lamine Yamal e ka ndihmuar Spanjën të avancojë në fazën nokaut të Kampionatit Evropian 2024, por 16-vjeçari nuk e ka lënë prapa edhe shkollimin.
Sulmuesi i krahut që luan te Barcelona ka njoftuar se ka përfunduar provimet e shkollës së mesme, shkruan “New York Times” të premten.
Ai këtë javë e ka kaluar edhe testin e katërt.
“Vetëm sa e përfundova stërvitjen dhe më thanë se gjithçka ka shkuar mirë”, i ka thënë Yamali radios spanjolle Onda Cero të enjten mbrëma. “I kam kaluar provimet, tani e kam edhe një tjetër. Notat nuk është se i kam parë. E shikova telefonin, i kisha kaluar provimet, e mbylla aplikacionin, e thirra nënën dhe i tregova”, ka thënë Yamal.
Yamali ka vazhduar studimet edhe përgjatë turneut, ndërsa më herët ka treguar se shkollimi i ka ndihmuar shumë për paraqitjet në turneun madhor.
“Unë ndjek mësimet çdo ditë dhe më japin detyra të ndryshme. Ndonjëherë më shumë, por këtë e bëj çdo ditë. Kur kemi ndeshje nuk më fusin shumë në telashe, por kur kam ditë pushimi, më japin detyra për t’i kryer”, është shprehur Yamal, shkruan mediumi amerikan.
Spanja të dielën luan kundër Gjeorgjisë në 1/8 e finales së “Euro 2024”.