Supertalenti Lamine Yamal të shtunën e festoi 17 vjetorin e lindjes. Yamal ka impresionuar me paraqitje në edicionin 2023/2024, me Barcelonën. Paraqitje të mira ka treguar edhe me Spanjën në Kampionatin Evropian “Gjermania 2024”. Yamal në një intervistë për gazetën spanjolle “Marca”, është shprehur se festimi i ditëlindjes së tij do të kishte përfunduar më së miri me triumfin në finale të “Euro 2024”.
“I kam thënë mamasë sime që nëse fitojmë nuk dua asnjë dhuratë, thjesht dua të festoj në Madrid me shokët e mi. Kjo do të ishte çmenduri, të festosh me njerëz në rrugë gjatë gjithë rrugës nga aeroporti. Të gjithë do të çmendeshin. Do të mbërrinim me eufori të pabesueshme”, u shpreh Yamal.
17-vjeçari është bërë edhe golashënuesi më i ri në histori të kampionatit evropian. Me 16 vjeç e 362 ditë e shënoi golin e tij të parë ndaj Francës në gjysmëfinale të “Euro 2024”. Yamal në gjashtë ndeshje të Evropianit ka kontribuar edhe me tre asistime.