Euro 2024

Yakini flet për marrëdhënien me Granit Xhakën

Murat Yakin

Përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin, ka folur edhe një herë për marrëdhënien me kapitenin Granit Xhaka. Yakin ka thënë se Xhaka është kapiteni i tij në fushën e lojës.

Selektori i Zvicrës thotë se nuk e kishte marrë si kritikë deklaratën e Xhakës pas ndeshjes kundër Kosovës.

Pas barazimit 2:2 ndaj Kosovës, më 9 shtator të vitit të kaluar në “Fadil Vokrri”, Xhaka kritikoi mënyrën e përgatitjes së ndeshjes.

Yakin thotë se me Xhakën dhe lojtarët tjerë të Zvicrës dëshirojnë të jenë të suksesshëm.

“Kam një marrëdhënie shumë të mirë me Granitin. Mënyra se si ne të dy u rritëm bën që gjërat të duken paksa të zhurmshme ndonjëherë. Kjo nuk duhet marrë si kritikë. Ne duam të jemi të suksesshëm së bashku. Ai është kapiteni im në fushë, udhëheq ekipin. Nuk e pashë komentin e tij pas ndeshjes ndaj Kosovës si kritikë. Ne e biseduam dhe tashmë është temë e mbyllur”, ka thënë Yakin në intervistë për Radio SRF.

Ai ka thënë se Xhaka do ta ketë lirinë e plotë në fushë gjatë Evropianit në Gjermani.

“Nuk ka kufij për të në Evropian. Për sa kohë që i shërben suksesit, ai mund të bëjë gjithçka”, ka theksuar Yakin.

Zvicra u kualifikua në Evropian si e dyta në grup. Përfundoi prapa Rumanisë. Në grup ishin edhe Izraeli, Bjellorusia dhe Androrra.

“E vetmja gjë që nuk ishte mirë në kualifikimet e Evropianit ishin rezultatet. Unë mund ta kuptoj plotësisht se disa ekspertë mund të mos kenë kuptuar plotësisht se si duam të luajmë. Statistikat treguan se ishim në rrugën e duhur. Mund të shihje në çdo ndeshje, ishim dominues dhe krijuam shumë raste. Ajo që mungonte ishte efikasiteti. Në mbrojtje ishim shumë të pakujdesshëm në rastet e pësimit të golave. Por ne u kualifikuam dhe kjo ishte gjëja më e rëndësishme”, është shprehur Yakin.

Xhaka, në 123 ndeshje të luajtura me Zvicrën ka shënuar 14 gola. Nga tetori i vitit të kaluar është rekordmen për ndeshje të luajtura me Zvicrën. Rol kyç në sukseset e  Zvicrës ka luajtur edhe Xherdan Shaqiri.

Shaqiri ka vetëm dy ndeshje më pak të luajtura sesa Xhaka me fanellën e përfaqësueses. Shaqiri ka kontribuuar me 30 gola në 121 ndeshje.