Zvicra po bëhet gati për ndeshjen çerekfinale të Euro 2024 ndaj Anglisë. Në kampin helvetik ka besim të madh për kalim historik në gjysmëfinale.
Në një të tetën e finales Zvicra e eliminoi Italinë, kampionen aktuale. Ndaj azurëve, Zvicra dominoi plotësisht.
“Është e shkëlqyer ajo që po bëjnë djemtë. Është kënaqësi t’i shohësh ata duke luajtur. Lojtarë të rëndësishëm si Yann Sommer, Granit Xhaka e Manuel Akanji kanë ardhur pas trofeve të fituar. Tre lojtarët e Bolognas kanë pasur edicion fantastik në Itali”, ka thënë selektori Murat Yakin, të martën në një konferencë për shtyp.
Ai është i lumtur edhe për përkrahjen e madhe që po ka Zvicra në ndeshjet e Evropianit.
Yakini e di se lojtarët e Anglisë janë dukshëm më të shtrenjtë se ata të Zvicrës.
“Do të jetë ndeshje e hapur. I dimë pikat e forta dhe te dobëta të Anglisë dhe ju siguroj se ekipi im do të jetë gati për të luftuar ndaj Anglisë. Pse mos ta mposhtim Anglinë në një ditë të mirë?”, ka pyetur selektori i Zvicrës.
Çerekfinalja mes Zvicrës dhe Anglisë zhvillohet të shtunën.