Yakin: E kemi ditur se do t’i shkatërrojmë...

9 muaj më parë / 29 qer 2024 21:04
Murat Yakin & Granit Xhaka

Murat Yakin & Granit Xhaka

Murat Yakin po vlerësohet shumë lartë për mënyrën se si po e drejton Zvicrën në Euro 2024. Zvicra tashmë është në çerekfinale, kurse të shtunën e eliminoi  Italinë.

“Kemi pasur përkrahje  në çdo stadium nga dita e parë. Kam pritur çdo gjë, por e kam ditur se do t’i shkatërrojmë nëse luajnë me katër në vijën e fundit. Ky sistem mundëson shumë gjëra. I kemi lejuar të vrapojnë dhe kemi shfrytëzuar hapësirat e lira. Kemi luajtur me kurajë, futboll sulmues”, ka thënë Yakin.

Ai ka përmendur kapitenin Granit Xhaka.

“Granit është shembull. Ai udhëheq rrugën si kapiten dhe gjithnjë përfshinë të gjithë, duke llogaritur zëvendësuesit. Është mirë që duhet të flasim vetëm për futboll. Çdo gjë po shkon mirë për momentin”.

Spalletti pranon përgjegjësinë

9 muaj më parë / 29 qer 2024 21:03
Luciano Spalletti

Selektori i Italisë, Luciano Spalleti,  ka pranuar përgjegjësinë për eliminimin nga Zvicra në 1/8 e finales në Euro 2024.

“Unë e kam përgjegjësinë për atë që ndodhi, unë e zgjedhi ekipin. Është pjesë e procesit gjatë të cilit duhet të njoh lojtarët. Nuk jam i lumtur me paraqitjen që kishim sonte. Nuk isha i lumtur as me paraqitjen ndaj Spanjës. Isha pjesërisht i kënaqur në dy ndeshjet tjera. Kam pushuar disa dhe kam ndryshuar ekipin. Në ndeshje e kaluar fajësova veten që nuk bëra ndryshime të mjaftueshme sepse duhej të ruanim intensitetin e lartë”, ka thënë Spalletti.

Sipas tij selektorët tjerë kishin 20 ndeshje para se të shkonin në Evropian.

“Unë i kam pasur vetëm 10 dhe isha gjithnjë në zjarrë, ‘ju duhet të fitoni, ju duhet të fitoni’. Me gjasë më duhet ta njoh ekipin më mirë që të bëj gjërat më mirë. Po ashtu disa lojtarë në të cilët kam llogaritur ishin të lënduar”, ka shtuar selektori italian.

Spalletti thotë se Italisë i duhet më shumë fizikalitet.

“Kemi kualitet, por kur humbim intensitetin gjatë 90 minutave është natyrale të mendosh se duhet të ndryshosh gjëra dhe të sjellësh më shumë fizikalitet”.

Xhaka me statistika mbresëlënëse, por sa humbje ka pësuar ai presje u largua nga Arsenali?

9 muaj më parë / 29 qer 2024 20:43
Granit Xhaka

Granit Xhaka ka shkëlqyer edhe një herë tjetër me Zvicrën në ndeshjen e fituar ndaj Italisë. 

Me fitoren 2:0 të shtunën, Zvicra dhe Xhaka kanë avancuar në çerkefinale të Kampionatit Evropian. 

“Play Squawka Selector” në platformën “X”, ka listuar disa të arritura të Xhakës në duelin ndaj kampiones në fuqi të Evropës.

101 prekje të topit
100% duele të fituara në ajër 
94 pasime të sakta nga 98 të tentuara 
16 inkuadrime në fazën e sulmit (më së shumti) 
4 herë fitues i posedimit të topit
3 shanse të krijuara 
1 largim i rrezikut 
1 faull i fituar

Ndërkohë, faqja tjetër “Football on TNT Sports”, ka shkruar se Xhaka ka pësuar vetëm dy disfata, qëkur u largua nga Arsenali. 

“Qëkur u largua nga Arsenali në korrik të vitit 2023, Granit Xhaka i ka humbur vetëm 2 ndeshje në nivel klubi dhe shteti”.
 

Donnarumma u kërkon falje tifozëve

9 muaj më parë / 29 qer 2024 20:37
Gianluigi Donnarumma

Portieri Gianluigi Donnarumma ishte prej më të mirëve te Përfaqësuesja e Italisë që ishte kampione në fuqi e Evropës. 

Por, Italia humbi 2:0 nga Zvicra të shtunën në një të tetën e finales, ndërsa pas eliminimit, portieri shtatlartë i Paris Saint-Germainit, u ka kërkuar falje tifozëve italianë. 

“Iu kërkojmë falje tifozëve. Është e papranueshme, kemi qenë në formë të dobët përgjatë gjithë ndeshjes. Ky është realiteti. Kemi qenë shumë të dobët në pjesën e parë. Është realitet dhe duhet ta pranojmë”, ka thënë Donnarumma pas ndeshjes.

“Mallkimi” i kampionëve të Evropës

9 muaj më parë / 29 qer 2024 20:36
Italia

Humbja e Italisë ka bërë që kampionët në fuqi të eliminohen në fazën e 1/8 së finales në secilin prej tri edicioneve të fundit të Kampionatit Evropian. 

Portugalia humbi nga Belgjika në “Euro 2020”, ndërsa Spanja u mposht nga Italia në “Euro 2016”.

Kush ishte më i miri i ndeshjes Zvicër – Itali

9 muaj më parë / 29 qer 2024 19:59
Zvicra

Ruben Vargas është shpallur lojtari më i mirë i ndeshjes mes Zvicrës dhe Italisë.

Vargas realizoi gol dhe asistoi në fitoren e Zvicrës me rezultat 2:0 ndaj Italisë.

Vargas luajti për 71 minuta, ndërsa pasimet i pati 90 për qind të sakta. 

Shpejtësia maksimale e arritur nga ai ishte 32.3 km/h. 

Mbuloi 8.2 kilometra të fushës.

Kjo është përparësia e Zvicrës për ndeshjen çerekfinale

9 muaj më parë / 29 qer 2024 19:55
Zvicra

Zvicra do të ketë përparësi për ndeshjen çerekfinale të Evropianit, pasi do të ketë një ditë më shumë pushim. 

Dhe kjo mund ta bëjë diferencën. 

Zvicra në çerekfinale do të luajë me fituesin e ndeshjes ndërmjet Anglisë dhe Sllovakisë që zhvillohet të dielën. 
 

Xhaka e Zvicra në çerekfinale, Italia në shtëpi

9 muaj më parë / 29 qer 2024 19:52
Granit Xhaka

Ruben Vargas shënoi një gol dhe përgatiti një tjetër. Granit Xhaka luajti tjetër ndeshje stabile në mesfushë, ndërsaZvicra arriti fitore shumë të madhe.

Të shtunën pasdite në Berlin, Zvicra e eliminoi kampionen në fuqi të Evropës, Italinë.

Helvetikët fituan 2:0 ndaj azurëve në ndeshjen e parë të një të tetës së finales në Euro 2024.

Zvicra kishte formë të lartë në fazën grupore dhe vazhdoi njëjtë edhe ndaj Italisë. Ndërkohë Italia mezi kaloi grupin, por do të largohet nga Gjermania pas vetëm një ndeshjeje në fazën nokaut.

Për Zvicrën është fitorja e parë ndaj Italisë pas plot 31 vjetësh. Gjatë tërë historisë Italia ka dominuar në përballjet me Zvicrën, por ndryshe ishte të shtunën.

Remo Freuler shënoi për 1:0 në minutën e 37-të. Vargas ishte asistues.

Me të nisur pjesa e dytë Vargas shënoi për 2:0. Dhe përfaqësuesja e Murat Yakinit e menaxhoi më pas rezultatin deri në fund.

Italianët goditën dy herë shtyllën, por pa rrezikuar seriozisht fitoren e Zvicrës.

Granit Xhaka ka kompletuar ndeshjen te Zvicra dhe e dominoi mesfushën. Ndërkohë Xherdan Shaqiri e Ardon Jashari mbetën në stol.

Në çerekfinale Zvicra takohet me fituesen e ndeshjes mes Anglisë e Sllovakisë.

Për Zvicrën është hera e dytë që avancon në çerekfinale të Kampionatit Evropian. 

Zvicra dyfishon epërsinë me supergol

9 muaj më parë / 29 qer 2024 19:06
Zvicra

Me të nisë pjesa e dytë, Zvicra ka realizuar edhe golin e dytë.

Ruben Vargas realizoi supergol për të dyfishuar epërsinë e helvetikëve ndaj Italisë.

 

Përfundon pjesa e parë, Zvicra në epërsi

9 muaj më parë / 29 qer 2024 18:51
Zvicra

Zvicra e ka mbyllur pjesën e parë në epërsi prej 1:0 ndaj Italisë në ndeshjen e parë të fazës nokaut.

Golin e realizoi mesfushori i Bolognas Remo Freuler në minutën e 37-të.

Zvicra në epërsi

9 muaj më parë / 29 qer 2024 18:40
Zvicra

Përfaqësuesja e Zvicrës ka kaluar në epërsi 1:0 ndaj Italisë.

Golin e epërsisë e realizoi mesfushori i Bolognas Remo Freuler në minutën e 37-të.

Fillon ndeshja ndërmjet Zvicrës dhe Italisë

9 muaj më parë / 29 qer 2024 18:03
Italia

Ka filluar përballja ndërmjet Zvicrës dhe Italisë në kuadër të ndeshjes së parë të fazës nokaut. 
Ndeshja është duke u zhvilluar stadiumin “Olympiastadion”, në Berlin.

Shumë ndryshime në formacionin e Italisë

9 muaj më parë / 29 qer 2024 16:59
Luciano Spalletti

Selektori i Italisë, Luciano Spalletti, ka rikthyer në formacionin titullar Gianluca Scamaccan dhe Federico Chiesan, ndërsa Stephan El Shaarawy, Gianluca Mancini dhe Nicolo Fagioli, do të luajnë po ashtu në ndeshjen kundër Zvicrës. 

Dueli Zvicra – Italia nis në orën 18:00 dhe është ballafaqimi i parë i 1/8 së finales së Kampionatit Evropian. 

Kjo ndeshje zhvillohet në stadiumin “Olimpiastadion” të Berlinit. 

Tek Italia i suspenduar është Riccardo Calafiori, kurse Federico Dimarco nuk luan shkaku i lëndimit. Alessandro Bastoni është i sëmurë.

Formacioni i Italisë: 

Donnarumma; Di Lorenzo, Mancini, Bastoni, Darmian; Barella, Fagioli, Cristante; Chiesa, Scamacca, El Shaarawy

Shaqiri nuk starton te Zvicra

9 muaj më parë / 29 qer 2024 16:47
Xherdan Shaqiri

Xherdan Shaqiri nuk starton te Zvicra në ndeshjen ndaj Italisë. Ndërkohë Granit Xhaka udhëheq mesfushën e helvetikëve.

Shaqiri pritet ta fitojë rastin në pjesën e dytë.