Për shkak të moshës dhe klubit, sulmuesi i krahut i Spanjës dhe Barcelonës, Lamine Yamal, ka rënë në sy gjatë “Euro 2024”. Por në krahun tjetër të sulmit të Spanjës, Nico Williams po shfaqet si shkatërrues.
Futbollisti 21-vjeçar i Athletic Bilbaos është vendimtar te “La Roja”. Ai shënoi një gol mjeshtëror në fitoren 4:1 të Spanjës ndaj Gjeorgjisë në një të tetën e finales në “Euro 2024”. Tani Spanja luan ndaj Gjermanisë në çerekfinale.
Gazeta e madhe spanjolle “Marca” i cilësoi Yamalin dhe Williamsin sy dy Ferrari në krahë. Me fanellën e kuqe të Spanjës veshur, ata shkatërruan Gjeorgjinë debutuese të dielën mbrëma.
“Ata të dy janë pjesë shumë e rëndësishme e skuadrës sonë”, ka thënë mesfushori Rodri, që shënoi pas asistimit të Williamsit për 1:1.
I lindur pesë vjet e një ditë para Yamalit, Williams mund të transferohet në një ekip të profilit më të lartë këtë verë, pas paraqitjeve impresive në Gjermani. Yamali e ka Williamsin shok dhe mentor brenda kampit spanjoll.
Williamsi është në radarin e Barcelonës për kohë të gjatë dhe nëse klubi katalunas avancon financiarisht në javët e ardhshme, atëherë mund të bëjë lëvizjen për të bashkuar dyshen e selektorit Luis de la Fuente.
Spanja po shpreson për triumfin e katërt në Evropian, ndërsa mbështetet shumë në lojën e mahnitshme në krah të Yamalit dhe Williamsit.
Williamsi po piqet shpejtë. Ai vlerësoi se paraqitjen më të mirë për Spanjën e kishte në fitoren 1:0 ndaj Italisë. Por ishte po aq impresiv ndaj Gjeorgjisë të dielën.
Lojtari 21-vjeçar i Athleticos kishte shkatërruar vazhdimisht italianin Giovanni di Lorenzo në ndeshjen të cilën Spanja ka mundur ta fitojë me rezultat të lartë. Ishte një tregues i hershëm për nivelin e vërtetë të përfaqësueses spanjolle.
Ndërkohë Gjeorgjia është vlerësuar kundërshtare më e lehtë për Spanjën. Por befasia e “Euro 2024” kishte mposhtur Portugalinë 2:0. Portieri i Valencias, Giorgi Mamardashvili kishte pritur secilën goditje të portugezëve.
Ndonëse shfaqi formë të lartë edhe ndaj Spanjës, Mamardashvili nuk mundi të bënte asgjë pas goditjes së shkëlqyer të Williamsit që realizoi për 3:1. Sulmuesi fillimisht e kaloi bukur një mbrojtës e më pas gjuajti edhe më bukur.
Williams e Yamal më pas bënë një vallëzim festiv.
“Nico Williams do të jetë pak i bezdisshëm pas kësaj”, tha Yamal me shaka.
“I thash që të mos fillojë me këtë pasi unë do të shënoj në ndeshjen e ardhshme”.
Në tribuna ishte vëllai më i madh i Nicos, Inaki. Ai luan, po ashtu, për Athletic Bilbaon, por në futboll ndërkombëtar e prezanton Ganën. Inaki është kujdesur për vëllaun e vogël kur babai i tyre punonte në Angli dhe nëna mbane disa vende pune në Spanjë.
“Është e pabesueshme që je vëllau im”, ka shkruar Inaki.
“Isha shumë i lumtur pasi shënova golin, sidomos për prindëri e mi, shokët dhe vëllaun, që ishin në tribuna”, tha Nico Williams.
“Këtë javë Yamali do të duhet të më durojë pasi ai nuk shënoi gol. Shpresoj që në ndeshjen e radhës të ma mbyllë gojën. Ne gjithmonë sfidojmë njëri-tjetrin dhe punojmë mirë së bashku”.
Ndeshja me Gjermaninë në një të tetën e finales do të jetë më e madhja e dy anësorëve deri më tani. Mbetet të shihet nëse gjermanët do të ndalin shpejtësinë e dy “Ferrarive” të Spanjës.