Euro 2024

Weghorst, sulmuesi i papërshtatshëm që bëri dallimin ndaj Turqisë

Wout Weghorst

Wout Weghorst

Berlin, 7 korrik – Në disavantazh prej një goli pas pjesës së parë të ndeshjes çerekfinale ndaj Turqisë, Holanda iu kthye sulmuesit të gjatë 197 centimetra, Wout Weghorst, në përpjekje për të kaluar në gjysmëfinale të Evropianit në Gjermani.

Dhe Weghorst ishte çelësi i thyerjes së mbrojtjes së fortë të Turqisë. Vrapimet dhe gjatësia e tij i dhanë sulmit të Holandës një dimension të ri në ndeshjen e së shtunës mbrëma, të vlerësuar si çerekfinalja më e mirë.

Weghorst iu afrua golit para se Stefan De Vrij të barazonte në minutën e 70-të. Gjashtë minuta më pas Cody Gakpo ishte më meritori për autogolin e Mert Muldur. Turqia ishte në epërsi 1:0 prej minutës së 35-të. Realizator ishte Samet Akaydin.

Me fitoren 2:1, Holanda siguroi gjysmëfinalen e Euro 2024 ndaj Anglisë.

“Çdo sulmues në skuadrën tonë ka aftësi të ndryshme”, ka thënë Gakpo.  “Por në këtë ndeshje donim të luanim më ndryshe. Kështu që Wout ishte i duhuri. Ai është i gjatë, është i mirë në lojën në ajër, lufton për çdo top që vjen në zonë”.

Selektori i Holandës, Ronald Koeman, e aktivizoi Weghorstin prej fillimit të pjesës së dytë.

“Kemi bërë disa krosime të mira dhe Turqia u tërhoq pak më shumë, kështu që kemi mundur të luajmë më mirë. Ndoshta ky ishte çelësi. Jam i lumtur që Wout luajti mirë”, ka shtuar Gakpo.

Atij fillimisht iu numërua goli i dytë i Holandës, por ndërkohë UEFA tha se ishte autogol i Muldurit. Të dy vrapuan drejt topit të krosuar nga Denzel Dumfries.

“Topi  hyri në portë, kështu që jam në rregull. Nuk ka rëndësi. Topi hyri në rrjetë, kjo është më e rëndësishmja. Kemi luftuar shumë për të përmbysur rezultatin dhe jemi shumë të lumtur për këtë”, ka theksuar Gakpo lidhur me golin.

Edhe mbrojtësi Nathan Ake ka vlerësuar rolin e Weghorstit.

“Ai na dha prezencë në zonë”, ka thënë Ake, që ka treguar se Koemani u tha të bëjnë më shumë krosime në zonë.

“Dhe këtë e kemi bërë disa herë. Kështu i kishim topat e dytë dhe më shumë përballje në zonë.

Mendoj se për shkak të kësaj kemi krijuar më shumë kaos në zonë. Dhe turqit është dashur të mbrohen më shumë. Mendoj se kjo ka ndihmuar shumë”, ka thënë Ake, duke çmuar kontributin e Wehghorstit.

“Është shumë vështirë të luash kundër tij. Është shumë i fortë dhe shumë i bezdisshëm në zonë. Dhe lufton për çdo gjë. Vrapon pas çdo gjëje. Kështu që për ne është aset i madh”, ka vazhduar Ake.

Weghorsti në edicionin e kaluar luajti huazim te Hoffenheimi i Bundesligës. Ka shënuar shtatë gola në 28 paraqitje. Më parë kishte periudha huazimi te Manchester Unitedi dhe te Beshiktashi, pasi iu bashkua Burnleyt nga Wolfsburgu në janar të vitit 2022.

Weghorsti ka luajtur në pesë ndeshje për Holandën në Euro 2024. Në të gjitha ishte zëvendësues. Por në asnjërën nuk luajti aq gjatë sa ndaj Turqisë.

Tani Koeman mund të ketë mëdyshjet e tij nëse duhet të luajë me 31-vjeçarin nga fillimi ndaj Anglisë të mërkurën në Dortmund.