Ushtarët në vijën e frontit kanë kërkuar nga lojtarët të “shfaqin shpirtin e Ukrainës” në Euro 2024. Kështu ka deklaruar selektori Serhiy Rebrov, duke shtuar se lojtarët ukrainas ndiejnë përgjegjësi shtesë gjatë prezantimit të vendit prej se nisi pushtimi rus.
Ukraina paraqitet për herë të katërt rresht në Evropian. Do të përballet me Rumaninë të hënën në Munih, në ndeshjen hapëse të Grupit E. Ndeshja zhvillohet prej orës 15:00.
“Të gjithë lojtarët, unë personalisht, marrim shumë mesazhe nga luftëtarët tanë, ushtarët tanë, shokët që tani janë duke luftuar për lirinë e Ukrainës”, ka thënë Rebrov.
“Jam i sigurt që ata janë shumë krenarë me ne. Ne jemi shumë krenarë me ta. Ata na thonë që kur të jemi në Evropian të ‘shfaqim shpirtin e Ukrainës’. Ky turne vërtetë ka të bëjë me shpirtin e vendit tonë”, ka shtuar selektori ukrainas.
Ukraina ka ekip të talentuar dhe pritet të kalojë në fazën nokaut. Kampanja e saj kualifikuese u zhvillua jashtë Ukrainës, për shkak të pushtimit rus.
“Është shumë me rëndësi për Ukrainën që të jetë këtu. Të gjithë ukrainasit duan të jenë vend evropian. Natyrisht, në vendin tonë tani futbolli nuk është në rend të parë. Ka shumë të vdekur, shumë fëmijë të vdekur. Është kohë e vështirë për Ukrainën”, ka vazhduar Rebrov.
Ai ka falënderuar evropianët për përkrahjen, por ka thënë se dëshiron t’ua përkujtojë njerëzve luftën e tyre.
Mbrojtësi Illia Zabarnyi ka thënë se të shohësh flamujt ukrainas në stadium do të jetë moment emocional.
“Për mua është shumë krenari të përfaqësoj Ukrainën. Ndihem shumë përgjegjës për veprimet e mia, por nuk jam i brengosur për ndeshjen. Ne e kuptojmë se ku jemi dhe çka duhet të bëjmë. Është futboll dhe duhet të luajmë me kokë të ftohtë”, ka theksuar ai.
Rumania kishte shumë telashe në fazën përgatitore, duke dështuar në dy miqësoret e fundit. Besimi në përfaqësuese i rumunëve nuk është i madh.
“Ekipi është gati. Mund të flasim për objektivat tona dhe për kalim të grupit, por gjërat i marrim hap pas hapi. Nëse luajmë futbollin tonë më të mirë, jam i bindur se do të kemi shanset tona”, ka thënë selektori i Rumanisë, Edi Iordanescu.
Ai ka kërkuar që të gjithë rumunët të identifikohen me përfaqësuesen. Ka thënë se nëse janë të bashkuar, çdo gjë është e mundur.