Një tifoz i futbollit që pagoi për tatuazhin “Anglia – fituesja e Euro 2024”, para se të zhvillohej finalja, ka ngulur këmbë që ai ende e do tatuazhin, përkundër humbjes nga Spanja.
Dan Thomas, 29-vjeçari nga Swindoni, bëri një tatuazh të trofeut të Evropianit në këmbën e tij, disa ditë para finales. Por nuk e ka ndërmend ta mbulojë atë pas humbjes 2:1 të Anglisë nga Spanja.
Pritja e Anglisë për trofe të madh, që nisi në vitin 1966, vazhdon ende.
Thomasi është i bindur që “Tre Luanët” do ta fitojnë Evropianin në vitin 2028 dhe planifikon ta ndryshojë pak tatuazhin e tij pas katër vjetësh, shkruan The Guardian.
“U afruam, nuk jam pishman për tatuazhin”, tha ai. “Nuk do të jetë vështirë të ndryshohet numri 4 me numrin 8 pas katër vjetësh. Nuk do ta mbuloj tatuazhin. Absolutisht nuk jam pishman dhe ende e dua atë”.
Ai e vlerëson të hidhur rezultatin e finales, por lavdëron lojtarët e Anglisë për arritjen deri në ndeshjen vendimtare.