Euro 2024

Tek Ukraina janë gati për “betejën” e madhe në fushë

Ukraina

Derisa Sllovakia shkëlqeu me një fitore bindëse 1:0 ndaj Belgjikës, Ukraina pësoi një humbje befasuese 3:0 ndaj Rumanisë në ndeshjen e saj hapëse. 

Një tjetër humbje mund të nënkuptojë eliminim për Ukrainën, e cila arriti në çerekfinale në Evropianin që u organizua në vitin 2021. 

Ukraina synon fitore përballë Sllovakisë për të mbajtur gjallë shpresat për kalim tutje. Ndeshja Sllovaki – Ukrainë zhvillohet të premten prej orës 15:00 dhe i takon Grupi E. Trajneri i Ukrainës, Serhiy Rebrov, dhe mesfushori Oleskandr Zinchenko shprehën optimizmin e tyre para ndeshjes ndaj Sllovakisë në Dusseldorf.

“Unë e kam konsideruar gjithmonë Sllovakinë si një ekip të fortë. Nuk ka yje të mëdhenj që luajnë për ekipe të mëdha, por ka lojtarë të mirë që luajnë në ekipe të mira. Kur analizoj paraqitjen e Sllovakisë do të thoja se është një ekip shumë i disiplinuar, por e rëndësishme është që ne të përqendrohemi në lojën tonë”, ka thënë Rebrov.

Mesfushori Zinchenko iniston se Ukraina do të bëjë çmos për ta mposhtur Sllovakinë.

“Ata sulmojnë dhe mbrohen si ekip. E dimë se do të ketë një betejë në çdo pjesë të fushës”, ka thënë Zinchenko.

Sllovakia dhe Ukraina e njohin njëra-tjetrën. Tri fitore i kanë takuar Sllovakisë, kurse Ukrainës dy. Tri herë janë ndarë baras. 

Sllovakia fitoren e fundit ndaj Ukrainës e shënoi në vitin 2018. E pati mposhtur 4:1.