Spanja është përfaqësuesja që ka bindur më së shumti në pjesën e deritashme të Evropianit. Pas tri fitoreve në grup, Spanja të dielën fitoi 4:1 ndaj Gjeorgjisë, në një të tetën e finales. Këtë ndeshje spanjollët e dominuan plotësisht.
Por në kampin spanjoll tashmë kanë kthyer fokusin te ndeshja çerekfinale ndaj Gjermanisë. Ndeshja zhvillohet të premten në Stuttgart.
“Kemi shumë besim dhe një ekip me talent, kualitet dhe përkushtim. Të besosh në aftësitë që i ke është shumë e rëndësishme. Nuk dua të ofendoj askënd, por ne kemi ekipin më të mirë në këtë Evropian”, ka thënë selektori i Spanjës, Luis de la Fuente.
Ai ka respekt për Gjermaninë po ashtu.
“Gjermania është ekip fantastik. Ka disa prej lojtarëve më të mirë në botë dhe si përfaqësuese është shumë e organizuar, shumë e disiplinuar. Por Gjermania do të përballet me një ekip që është i ngjashëm me të, shumë i përkushtuar, shumë mirë i organizuar, i uritur dhe me shumë ambicie”, ka shtuar selektori spanjoll.