Edhe pak ditë kanë mbetur nga ndeshja e parë e Shqipërisë në Gjermani përballë kampiones së Evropës, Italisë. Por, te Shqipëria vlerësojnë se janë gati për t’i bërë ballë Italisë në Evropianin që nis të premten. Ndeshja Itali – Shqipëri është të shtunën nga ora 21:00 në Dortmund.
Të mërkurën para gazetarëve të pranishëm në Kemen, ku kuqezinjtë po përgatiten për ndeshjet e Evropianit, doli Qazim Laçi.
Laçi ka vlerësuar se edhe për Italinë do të jetë e vështirë ndeshja e parë.
“Ndeshja e parë është pak më e vështirë për të gjitha ekipet, si për ne, si për Italinë. Ne kemi arritur deri këtu me shumë meritë. Kemi dhënë maksimumin në kualifikuese, kemi bërë ndeshje të mira dhe kështu do të vazhdojmë. Të punojmë sa më mirë, të stërvitemi dhe të mundohemi që të shfaqim ato gjëra që jemi stërvitur edhe në fushë. Objektivi ynë është që të marrim maksimumin e pikëve te ndeshja e parë”, ka thënë Laçi.
Laçi ka pak gjasa të jetë titullar, ndonjërën prej tri ndeshjeve të Shqipërisë në Grupin më të fortë në “Euro 2024”. Me Shqipërinë dhe Italinë, në Grupin B janë edhe Spanja dhe Kroacia.
“Të tre kundërshtarët tanë janë shumë të fortë. Secili prej tyre ka cilësitë e veta dhe është e vështirë të bëj një zgjedhje. Çdo ekip ka lojtar me diferencat dhe karakteristikat e veta. T’i marrim ndeshjet me radhë”, është shprehur Laçi.
Ai është kthyer të flas sërish për ndeshjen e parë kundër Italisë. Ka thënë se lojtarët mezi presin përballjen e parë.
“Patjetër, të gjithë lojtarët janë gati. Fatmirësisht nuk kemi pasur asnjë dëmtim, kjo është kryesorja. Mezi po presim që të vazhdojë ‘Euro 2024’. Ndeshja e parë do jetë pak me stres pasi është takimin i parë. Por të gjithë lojtarët janë shumë të motivuar dhe kjo është shumë pozitive për ne”, ka theksuar ai.
Laçi është 28-vjeçar, ndërsa luan në pozitën e mesfushorit. Është pjesë e kampiones së Çekisë, Sparta Praga. Ai ka 27 ndeshje me fanellën e Shqipërisë nga viti 2020. Nuk ka luajtur në “Euro 2016”, për ekipin kuqezi. Por është i lumtur që është pjesë e Shqipërisë për ndeshjet e “Euro 2024”.
“Në ndeshjet kualifikuese kemi bërë shumë mirë. E mbyllëm të parët sepse e merituam. Edhe në Evropian jemi me këmbë në tokë. Sigurisht do të jetë shumë e vështirë, pasi është një grup i fortë. Italia, Spanja dhe Kroacia janë shumë ekipe të forta. Por ne do ta shijojmë dhe do të japim maksimumin, pasi kjo fanellë që po veshim, vlen shumë”, ka thënë Laçi.
Ndeshjen e dytë Shqipëria, më 19 qershor ndaj Kroacisë në Hamburg, kurse më 24 qershor përballë Spanjës në Dusseldorf.