Emra të rinj kanë dalë në pah dhe emra të mëdhenj nuk shfaqën atë që është pritur. Tifozët kanë bërë festë nëpër rrugët e Gjermanisë. Ka pasur edhe momente diskutabile me lojtarë e trajnerë të pakënaqur.
Talentët e rinj
Turnetë e futbollit u japin shans lojtarëve të rinj të dalin në pah. Ata, normalisht, nuk janë edhe aq të rinj në kushte normale.
Por, Lamine Yamal i Spanjës ka qenë sensacioni i “Euro 2024”, sidomos pas golit që e shënoi në gjysmëfinale ndaj Francës. Me atë shënim, Yamal u bë golashënuesi më i ri në moshë që shënon në një Evropian. Ai festoi 17-vjetorin e lindjes të shtunën, një ditë para finales kundër Anglisë në Berlin.
21-vjeçarët e Gjermanisë, Jamal Musiala dhe Florian Wirtz, kanë pasur paraqitje të mira me nikoqiren e turneut, ndërsa një tjetër 21-vjeçar, Xavi Simons, shënoi gol spektakolar në disfatën e Holandës nga Anglia në gjysmëfinale.
Zhgënjim ka pasur te mesfushori spanjoll Pedri, po ashtu 21-vjeçar, turneu i të cilit u ndal në gjysmë pas një ndërhyrjeje të ashpër nga Toni Kroos i Gjermanisë, në çerekfinale të garës.
Superyjet e dështuar
Emrat e mëdhenj të futbollit nuk shkëlqyen në turneun e “Euro 2024”. Cristiano Ronaldo do të bëhej golashënuesi më i vjetër i Kampionatit Evropian, por e mbylli turneun pa asnjë gol të shënuar nga pesë ndeshje. Kjo ngriti shqetësime nëse Portugalia do të ishte skuadër më e mirë, pa të në fushë. Ndikimi më i madh i tij padyshim mbetet në aspektin e sigurisë, pasi shumë tifozë kanë hyrë në fushë për të bërë fotografi me të.
Turneu i Kylian Mbappes nisi me hundë të thyer kundër Austrisë dhe u mbyll me disfatë të Francës në gjysmëfinale nga Spanja. Goli i tij i vetëm ishte nga penalltia kundër Polonisë. Ai ishte i përfshirë me deklarata edhe në politikën franceze.
Harry Kane është në finale, por nuk shfaqi më të mirën pavarësisht se ka tri gola, kurse Kevin de Bruyne nuk la gjurmë në skuadrën e Belgjikës.
Numri i madh i tifozëve
Pasi Kampionati Evropian i kaluar dhe Kupa e Botës u organizuan me rregulla të rrepta shkaku i pandemisë, “Euro 2024” ishte shansi që tifozët e shteteve evropiane të ishin në numër shumë të madh.
Ngjyra të llojllojshme u panë teksa marshonin drejt stadiumeve. Marshi i holandezëve drejt stadiumit për gjysmëfinalen kundër Anglisë ishte më i madhi, me gjithsej 100,000 tifozë. Kjo e ngjyrosi tërë qytetin me ngjyrën “portokalli”.
Në përgjithësi kishte festë, në përjashtim të disa përleshjeve ku u përfshinë tifozët anglezë, danezë dhe serbë. Nuk krahasohen me skenat e dhunshme të “Euro 2016” në Francë.
Tifozët kanë përdorur linjat e trenave për të shkuar në stadiume, ndonëse ato ishin shumë të ngarkuara. Madje skuadra holandeze pati telashe me tren dhe u desh të aranzhonte udhëtim me aeroplan për ndeshjen gjysmëfinale.
Polemikat me VAR
Nuk do të ishte ngjarje e madhe pa polemika të ashpra në lidhje me sistemin VAR.
VAR-i është larg konceptit që ishte publikuar nga FIFA në vitin 2016, dhe për disa momente të dyshimta është diskutuar shumë. Joachim Andersenit të Danimarkës i ishte anuluar një gol për pozitë jashtë loje nga VAR-i kundër Gjermanisë, para se VAR-i ta ndihmonte nikoqiren të siguronte penalltinë kundër tij, pak sekonda më vonë.
Rast tjetër që bëri bujë ishte ai i mbrojtësit holandez Denzel Dumfries, që e goditi në këmbë sulmuesin Harry Kane, teksa u mundua ta bllokonte tentimin e sulmuesit anglez. Ajo penallti e ndryshoi rrjedhën e lojës dhe Anglia avancoi në finale.
“Mendoj se nuk mund të luajmë futboll siç duhet për shkak të VAR-it. Po e prish futbollin”, ka thënë selektori i Holandës, Ronald Koeman.
Nuk kishte penallti as për Gjermaninë në çerekfinale kur topi e goditi dorën e mbrojtësit të Spanjës, Marc Cucurella. Tifozët gjermanë i fishkëllyen Cucurellas në gjysmëfinale kundër Francës si rezultat i atij momenti.
Nuk pati kundërshtarë të lehtë
Nuk ka pasur kundërshtarë të lehtë në “Euro 2024”.
Edhe pse luajtën disa shtete të vogla të futbollit, asnjëra prej tyre nuk i humbi gjitha ndeshjet. Kjo ka ndodhur për herën e parë në një Kampionat Evropian për futbollistë, qëkur ngjarja kishte tetë ekipe në vitin 1992.
Gjeorgjia e mposhti Portugalinë dhe u eliminua më pas nga Spanja në një të tetën e finales, në kampanjën e suksesshme. Shqipëria kishte epërsinë nga dy prej tri ndeshjeve dhe vendosi rekord me golin më të shpejtë në një Kampionat Evropian kur Nedim Bajrami shënoi ndaj Italisë pas 23 sekondave. Sllovenia nuk humbi asnjë ndeshje në kohën e rregullt dhe u eliminua nga Portugalia pas ekzekutimit të penalltive.