Ian Maatsen ishte duke pushuar në një jaht në afërsi të Mykonos në Greqi, kur mori thirrje të hënën mbrëma për Kampionatin Evropian. Atij iu kërkua të bashkohej me Holandën sa më shpejt të jetë e mundur.
Maatsen nuk humbi kohë. Ishte i pranishëm në stërvitjen e së martës pasdite me “tulipanët” në bazën e Holandës në Wolfsburg.
Që Maatsen të jetë në stërvitje e bëri të mundur babai i tij, që udhëtoi nga Holanda për në Gjermani për t’i sjellë këpucët e tij të futbollit.
Kështu futbollisti i talentuar i dha fund pushimit dhe nisi ëndrrën për debutim me Holandën dhe për paraqitje në ngjarjen e madhe.
“Iani ka dashur të vijë fillimisht në Holandë, por kjo nuk dukej ide e mirë për ne”, ka thënë babai i tij, Edward Maatsen. Ai fillimisht udhëtoi tri orë nga Vlaardingen për në Dortmund, ku Maatseni luan për Borussian.
Aty i mori këpucët e futbollit dhe gjëra të tjera personale dhe bëri edhe tri orë të tjera për në Wolfsburg.
Është një rrugë që familja Maatsen e njeh shumë mirë.
“Ne e dimë që si familje jemi gjithnjë e përfshirë”, ka thënë ai për gazetarët. “Ky Evropian është kulmi. Si prind je shumë i lumtur dhe do të bësh çdo gjë për të ndihmuar”.
Mbrojtësi i majtë, Maatsen, u përfshi në skuadrën e Holandës pas lëndimit të Frenkie de Jongut. Më pas u lëndua edhe Teun Koopmeiner.
Maatsen në edicionin e fundit ishte i huazuar nga Chelsea te Dortmundi dhe ndihmoi skuadrën gjermane të paraqitet në finale.