Euro 2024

Sylvinho befasoi me Alijin, ai është gati për “Euro 2024”: Mund të befasojmë

Naser Aliji

Pak sekonda u shfaq në ekran imazhi i Naser Alijit gjatë publikimit të listës preliminare të Shqipërisë për “Euro 2024”. Por ishte mjaftueshëm për t’i dhënë emocione të forta mbrojtësit të krahut të majtë. Emri i Naser Alijit u publikua menjëherë pas emrave të katër portierëve.

Selektori Sylvinho vendosi që listën preliminare prej 27 lojtarëve ta publikojë të hënën pasdite nëpërmjet një konference për shtyp. Listën përfundimtare me 26 lojtarë do ta dorëzojë më 7 qershor.

Aliji, 30-vjeçar, është një prej pesë lojtarëve që për herë të dytë do ta kenë mundësinë e paraqitjes në Kampionatin Evropian me fanellën e Shqipërisë.

“Listën e kam parë në televizor, ashtu si të gjithë lojtarët besoj. Isha shumë i gëzuar, krenar dhe i lumtur. Kam shpresuar si gjithë lojtarët dhe e kam pritur ftesën. Është diçka e madhe për mua. Edhe në herën e parë në Francë ka qenë ndenja më e mirë për mua në karrierën time. Edhe pse nuk kam luajtur, eksperienca që e kam përjetuar ka të veçantën e saj”, ka thënë Aliji të mërkurën për KOHËN.

Në Evropianin 2016 ishin edhe Etrit Berisha, Elseid Hysaj dhe Amir Abrashi prej ekipit aktual.

“Jam shumë i lumtur, është hera e dytë që shkoj në Evropian. Nuk është një gjë krejt e zakonshme për ne si shqiptarë, sidomos për ne që shkojmë për herë të dytë”, ka theksuar Aliji.

Mbrojtësi i skuadrës rumune, Voluntari, nga e cila do të largohet, ndeshjen e fundit me fanellën e Shqipërisë e zhvilloi katër vjet më parë. Ai luajti 90 minuta ndaj Andorrës më 25 mars të vitit 2019. Ishte ndeshje kualifikuese për “Euro 2020”. Tani kandidon për paraqitje në Evropianin 2024.

“Hera e parë ka qenë ndjenjë që nuk e përshkruaj me fjalë. Duhet vetë ta përjetosh për të kuptuar emocionet. Tash është hera e dytë dhe është krenari shumë e madhe. Përjetimi është ndryshe kur luan për fanellën e Kombëtares. Është ndryshe nga paraqitjet me ekipin. Është krenari të luash për Kombëtaren. Është diçka e papërshkrueshme me fjalë”, thotë futbollisti.

Aliji mori ftesën e Sylvinhos edhe për dy ndeshjet miqësore të muajit mars. Por nuk luajti në humbjet nga Kili dhe Suedia.

Ai pranon se konkurrenca në pozitën e tij është e madhe, me Mario Mitajn i cili ka shkëlqyer në ndeshjet kualifikuese. Por thotë se është gati të japë kontributin për fanellën kuqezi.

“Gjithë e dinë që Mitaj është numër një. Unë jam prapa tij. Gjithë duam të luajmë, por e di rolin tim. Nëse është nevoja, unë jam gati për trajnerin”, ka thënë Aliji.

Futbollisti i lindur në Kumanovë pranon se grupi i Shqipërisë është i vështirë. Por thotë se në ngjarje të mëdha ka edhe befasi.

“Gjithçka mund të ndodhë. Në çdo Evropian dhe Botëror ka pasur ekipe që kanë bërë surprizë. Shpresoj të jemi ne befasia e Evropianit”, ka thënë Aliji. “Asnjë ekip që kualifikohet në Evropian nuk është i dobët. Të gjitha ekipet janë të mira. Kemi grupin më të vështirë, por besojmë dhe shpresojmë që ta fillojmë mirë ndeshjen e parë dhe pastaj nuk i dihet. Futbollit nuk i dihet”.

Kuqezinjtë janë në grup me Spanjën, Kroacinë dhe Italinë.