Kroosi i mërzitur për eliminimin e Gjermanisë
Mesfushori Toni Kroos është optimist për të ardhmen e ekipit gjerman, pavarësisht eliminimit të dhimbshëm nga “Euro 2024”.
Gjermania të premten mbrëma u eliminua në çerekfinale të Evropianit pas humbjes 2:1 nga Spanja në vazhdime.
Kroosi u kthye nga pensionimi në nivel përfaqësuesesh për ta kërkuar Evropianin që po organizohet në Gjermani. Ai luajti në nivel të lartë për nikoqiren, që për afër një dekadë nuk pati paraqitje të mira në turne madhorë.
Para organizimit të Evropianit në Gjermani, Kroosi kishte njoftuar se do të pensionohet nga futbolli aktiv pasi të mbarojë kjo aventurë. Pra ndeshja me Spanjën ishte e fundit për mesfushorin ikonik.
“Dhamë gjithçka në këtë ballafaqim dhe të humbësh kur ishim kaq afër është e hidhur”, ka thënë Kroos për mediumin “ARD”.
“Eliminimi është fokusi im për momentin dhe jo pensionimi, sepse synimi që kishim nuk u arrit dhe ëndrra që kishim tashmë ka mbaruar. Kemi luajtur turne të mirë por kur je kaq afër, eliminimi bëhet edhe më i dhimbshëm”, ka vazhduar tutje Kroos.
34-vjeçari ka insistuar se e ardhmja e futbollit gjerman është e ndritur dhe ka thënë se ky ekip i ka sjellë tifozëve optimizmin sërish.
“Ne të gjithë mund të jemi të lumtur për atë që kemi bërë. Jam i kënaqur që kam arritur ta jap kontributin tim. Mendoj se u dhamë gjermanëve shpresë futbolli sërish dhe kishim përmirësim në lojën tonë nga ndeshja në ndeshje. Mendoj se ekipi do të arrijë sukses në të ardhmen, por sot jemi shumë të mërzitur sepse do të donim të qëndronim edhe më gjatë”, theksoi Kroos.
Mesfushori gjerman largohet me 832 ndeshje të luajtura e 80 gola të shënuar. Ai ka gjashtë trofe të Ligës së Kampionëve, gjashtë Kupa të Botës për Klube, pesë Superkupa të Evropës, katër trofe të La Ligas, katër trofe të Superkupës së Spanjës. Ishte tri herë fitues i Bundesligës dhe i Kupës së Gjermanisë, ndërsa ka fituar edhe nga një herë Superkupën e Gjermanisë dhe Kupën e Mbretit.
Në nivel përfaqësuesesh e ka të fituar Kupën e Botës. Karrierës madhështore të tij i mungon trofeu i Kampionatit Evropian.
Festa e njëjtë pas 33-vjetësh, historia e Merinos dhe babait të tij
Festa ikonike e Mikel Merinos ishte e ngjashme me atë të para 33-vjetësh, në golin dhe momentin më të rëndësishëm të Spanjës në “Euro 2024”.
Spanja siguroi gjysmëfinalen në Evropianin që po organizohet në Gjermani. Shënues ishte mesfushori i Real Sociedadit, 28-vjeçari Merino.
“Kjo do të mbetet në historinë e futbollit të Spanjës, sido që të përfundojë turneu. Kur gjithçka po shkonte drejt penalltive, njeriu që më së paku pritej të shënonte, e rishkroi historinë. Në stadiumin e njëjtë, në Stuttgart, babai i tij kishte shënuar gol në ndeshjen Stuttgart-Osasuna, në raundin e dytë të Kupës së UEFA-s, më 5 nëntor 1991. Në atë ndeshje kishte shënuar Angel Merino, babai i Mikel Merinos. Ai ka bërë karrierë në Spanjë, sidomos te Celta Vigo dhe Osasuna, ndërsa festa në atë ndeshje u përsërit nga djali i tij. Rrotullimi në flamurin e kornerit. E kaluara dhe e tashmja”, ka shkruar mediumi i madh italian “Calciomercato”.
Dad, Son, 33 years apart, same stadium, same celebration! pic.twitter.com/txOD7ReevS
— Alexandra Jonson (@AlexandraJonson) July 5, 2024
Momenti që do të diskutohet gjatë, a ishte penallti?
Një situatë në ndeshjen Spanjë – Gjermani do të diskutohet gjatë. Pas një goditje të Jamal Musialas në minutën e 106-të, topi shkoi në dorën e Marc Cucurellas.
Musiala reagoi menëjherë e pas tij Julian Nagelsmann. Por arbitri Anthony Taylor vazhdoi ndeshjen. Anglezi as që shkoi rastin, shkruan Bild.
“Nuk duket e kuptueshme për mua. Do të thosha që në nëntë prej dhjetë rasteve do të akordohej penallti. Pse nuk u dha për Gjermaninë është misterioze për mua”, ka thënë eksperti i ARD, Thomas Hitzlsperger.
“Kjo duhet të shpjegohet. Natyrisht, nuk është e qëllimshme. Por dora nuk është e mbështetur në trup. Ishim pafat në atë skenë”, ka thënë Bastian Schweinsteiger.
NJë analist tjetër ka thënë për Bid që VAR-i nuk ka mundur të ndërhyjë pasi nuk ishte veprim qartë i gabueshëm.
Fuellkrug ishte në ofsajd kur Muelleri bëri krosimin. Por rasti nuk u rishikua dhe detektori gjysmëautomatik i ofsajdit nuk u shfaq.
Tre gola nga rezervistë të ndryshëm, a ka ndodhur kjo në të kaluarën?
Të gjithë tre golat në ndeshjen Spanjë – Gjermani u shënuan nga futbollistë të ndryshëm që u aktivizuan si zëvendësues.
Kjo ka ndodhur për herë të katërt në histori të kampionateve evropiane. Së pari kishte ndodhur në ndeshjen Rusi – Çeki në vitin 1996 dhe në ndeshjet Itali – Austri e Kroaci – Spanjë në “Euro 2020”, raporton BBC.
Kush ishte lojtar i ndeshjes?
Nuk ka dilema se kush ishte lojtar i ndeshjes mes Spanjës dhe Gjermanisë.
Dani Olmo hyri si zëvendësues, por shënoi gol dhe asistoi për kualifikim të Spanjës në gjysmëfinale.
“Ai hyri si zëvendësues për të mbushur këpucët e mëdha të Pedrit. Ishte shumë i rrezikshëm, shumë i përfshirë në lojë. Shënoi gol, asistoi. Edhe në mbrojtje bëri punë të mirë”, kanë vlerësuar ekspertët e UEFA-s.

Pensionohet legjenda Kroos
Legjenda gjermane e futbollit, Toni Kroos, është pensionuar nga futbolli aktiv, me eliminimin e Gjermanisë nga Spanja në çerekfinale të “Euro 2024”.
34-vjeçari kishte paralajmëruar pensionimin nga futbolli pas Evropianit.
Spanja në gjysmëfinale, fiton dramën me Gjermaninë
Dani Olmo hyri si zëvendësues. Por ai shënoi gol dhe asistoi për ta dërguar Spanjën në gjysmëfinale të Euro 2024.
Të premten mbrëma në Stuttgart, Spanja fitoi 2:1 ndaj Gjermanisë.
Ndeshja u vendos në dy vazhdimet nga 15 minuta. Në minutën e 119-të, Olmo krosoi bukur ndërsa Mikel Merino u shkëput lart në zonë dhe goditi saktë për golin e kualifikimit. Manuel Neuer ishte i paforcë.
Gjermania tentoi më pas, por nuk kishte shumë kohë për të ndryshuar rezultatin. Niclas Fuellkrug gjuajti fare pranë portës në minutën e 123-të.
Dhe spanjollët mund të bëhen gati për ndeshjen gjysmëfinale të Evropianit në Gjermani.
Ndeshja kishte rrjedhë dramatike, ndërsa ishte goxha e ashpër po ashtu.
Në minutën e tetë Pedri la fushën për shkak të një lëndimi. Për të është raportuar se ka përfunduar Evropiani.
Në vend të Pedrit u aktivizua Dani Olmo. Ai në minutën e 51-të shënoi për 1:0. Goditi bukur e saktë, pas asistimit mjeshtëror të 16-vjeçarit Lamine Yamal. Yamali është i vetmi lojtar me tri asistime në Euro 2024.
Pas epërsisë 1:0 të Spanjës, Gjermania u hodh me të gjitha forcat në sulm. Goditi shtyllën me Fuellkrugun, ndërsa në minutën e 89-të edhe shënoi golin e barazimit. Florian Wirtz realizoi me goditje nga zona për festën e madhe të gjermanëve.
Me rezultatin 1:1 përfundoi koha e rregullt. Dhe çerekfinalja e parë shkoi në vazhdime. Dukej që ndeshja do të vendosej me penallti, por krosimi i Olmos dhe goli i Merinos dërguan Spanjën në gjysmëfinalen e 9 korrikut.
Ndeshja Spanjë – Gjermani është vlerësuar finale e hershme e Evropianit. Dhe ishte e tillë, bazuar në atë që u shfaq në fushën e blertë.
Kjo ndeshje ishte e fundit në karrierën e mahnitshme të Toni Kroosit, mesfushorit të Gjermanisë. Ai ka njoftuar që do të pensionohet me ndeshjen e fundit të Gjermanisë në Evropian.
Merinoooo
Spanja po udhëheq 2:1 ndaj Gjermanisë. Dani Olmo krosoi, ndërsa Mikel Merino shënoi për 2:1 në minutën e 119-të.
Nuk ka fitues pas 90 minutave, luhen vazhdimet
Spanja e Gjermania kanë barazuar 1:1 pas 90 minutave të ndeshjes çerekfinale të Euro 2024.
Kështu fituesja, përkatësisht gjysmëfinalistja e parë, mund të vendoset në dy vazhdimet nga 15 minuta.
Gjermaniaaaaaaaaaa
Gjermania ka barazuar rezultatin në ndeshjen ndaj Spanjës. Florian Wirtz realizoi për 1:1 në minutën e 89-të.
VIDEO:
🚨🇪🇺 GOAL | Spain 1-1 Germany | Florian Wirtz
— Tekkers Foot (@tekkersfoot) July 5, 2024
FLORIAN WIRTZ HAS EQUALIZED!pic.twitter.com/VAgDoWDMsN
Gjermania godet shtyllën
Gjermania i është afruar golit. Fuellkrug ka goditur shtyllën në minutën e 77-të.
Përfundon Evropiani për Pedrin
Pedri nuk do të jetë në gjendje të luajë për Spanjën në rast se kualifikohet në gjysmëfinale.
Mesfushori i Barcelonës ka pësuar ndrydhje në këmbën e majtë pas ndërhyrjes nga Toni Kroos, ka konfirmuar Federata e Futbollit të Spanjës. Kjo do të thotë se ai nuk do të luajë më në Evropian, shkruan gazetari i njohur Fabrizio Romano.
Pedri u zëvendësua pas vetëm tetë minutave në ndeshjen çerekfinale të “Euro 2024” mes Spanjës dhe Gjermanisë. Aktualisht, Spanja po fiton 1:0.
Spanjaaaaa
Spanja ka kaluar në epërsi 1:0 ndaj Gjermanisë.
Dani Olmo gjuajti bukur në minutën e 51-të, ndërsa goditja e tij ishte e saktë.
Asistimin e bëri supertalenti Lamine Yamal.
VIDEO:
🚨🚨| GOAL: OLMO SCORES! YAMAL ASSIST!!!
— Transfer Sector (@TransferSector) July 5, 2024
Spain 1-0 Germany #EURO2024
pic.twitter.com/gyp8Du4yuW
Përballja e gjigantëve, pa gola në pjesën e parë
Nuk janë shënuar gola në pjesën e parë të ndeshjes mes Spanjës dhe Gjermanisë.
Ndeshja e parë çerekfinale e Euro 2024 po zhvillohet në Stuttgart.
Të dy përfaqësueset kishin momentet e mira, por pa konretizuar. Spanja prej minutës së tetë është pa Pedrin e lënduar. Në vend të tij është aktivizuar Dani Olmo.
Ka pasur edhe momente të ashpra në lojë.
Spanja në pjesën e parë ka krijuar më shumë dhe ishte më e rrezikshme.
Goditje për Spanjën, del Pedri
Spanja mori goditje që në minutën e tetë të ndeshjes ndaj Gjermanisë.
Për shkak të një lëndimi të pësuar në një duel, Pedri është dashur të zëvendësohet.
Dani Olmo hyri në vend të tij.
Formacionet: Spanjë - Gjermani
Spanja s’ka bërë ndryshime nga formacioni bazë që e ka përdorur në ndeshjet e Evropianit.
Te Gjermania, nga minuta e parë luan Emre Can në vend të Robert Andrich, teksa David Raum luan në vend të Mittelstadtit në krahun e majtë të mbrojtjes. Florian Wirtz është sërish në bankë. Në vend të tij luan Leroy Sane.
Formacioni i Spanjës - Unai Simon; Carvajal, Le Normand, Laporte, Cucurella; Fabian Ruiz, Rodri, Pedri; Lamine Yamal, Morata, Nico Williams.
Formacioni i Gjermanisë - Neuer; Kimmich, Ruediger, Tah, Raum; Emre Can, Kroos; Musiala, Guendogan, Sane; Havertz.
