Euro 2024

Spanja me bilanc të përkryer testohet nga Gjeorgjia

Spanja

Spanja do të luajë kundër Gjeorgjisë në ndeshjen e parë të fazës nokaut. 

Ballafaqimi Spanja – Gjeorgjia luhet të dielën nga ora 21:00, në stadiumin e Koelnit. 

Spanjollët vlerësohen favoritë për të triumfuar në këtë turne, pas paraqitjeve mbresëlënëse në fazën grupore ku arritën tri fitore. Por, Gjeorgjia deri tani e ka shënuar fitoren më befasuese, duke e mposhtur Portugalinë 2:0, për të avancuar në këtë fazë të garës. 

Spanja është e vetmja skuadër që e ka mbyllur fazën e grupeve me tri fitore. Fitoi 1:0 ndaj kampiones në fuqi të Evropianit, Italisë, derisa e mposhti edhe Kroacinë dhe Shqipërinë. Spanja, që ka tre trofe të Evropianit, për herën e fundit kishte triumfuar në vitin 2012. 

Spanja ndaj Gjeorgjisë në vitin e kaluar shënoi dy fitore në ndeshjet kualifikuese me rezultatin e përgjithshëm, 7:1. Lamine Yamal kishte regjistruar rekord si futbollisti më i ri që shënoi gol në kualifikime të Evropianit, vetëm dy muaj pasi kishte mbushur 16 vjeç. 

“Para disa muajsh nuk ishim kandidatë për të triumfuar, por tani jemi favoritë. Por kjo nuk do të thotë asgjë. Ne gjithmonë kemi thënë se kemi udhëtuar për të triumfuar në Kampionatin Evropian dhe ky është mentaliteti jonë”, ka thënë mbrojtësi i krahut të majtë, Alejandro Grimaldo. 

Gjeorgjia ka shumë vetëbesim. Madje, selektori i përfaqësueses gjeorgjiane, Willy Sagnol, ka thënë se gjeorgjianët tashmë janë fituesit e Evropianit. “Për mua, Gjeorgjia e ka fituar Kampionatin Evropian”, ka thënë Sagnol të shtunën. 

Njëri prej lojtarëve më të mirë te Gjeorgjia, Khvicha Kvaratskhelia, është pyetur nëse skuadra e tij mund ta mposht edhe Spanjën, pas Portugalisë. 

“Tani mund të shohim se është e mundur të luash ndaj çdo ekipi dhe të fitosh. Nuk ka rëndësi kush është kundërshtar sepse nuk ka kundërshtar të lehtë në Kampionat Evropian”, ka thënë sulmuesi i Napolit. 

Te Spanja nga suspendimi është kthyer Rodri, kurse Dani Carvajal rrezikon suspendimin dhe mungesën në çerekfinale në rast të avancimit të Spanjës, nëse ndëshkohet me karton të verdhë.