Euro 2024

Spanja, kampione e Evropës

Spanja kampione e Euro 2024

Spanja, kampione e Evropës

 

Rezervisti Mikel Oyarzabal ka shënuar gol në minutën e 86-të për t’ia siguruar Spanjës titullin e kampionit të Evropës.

Spanja në finale të “Euro 2024”, të dielën mbrëma në Berlin, fitoi 2:1 ndaj Anglisë.

Oyarzabal në lojë hyri në minutën e 68-të në vend të Alvaro Moratas. Në minutën e 86-të pas pasimit të Marc Cucurellas, Oyarzabal goditi saktë për epërsinë 2:1 të Spanjës. Rezultati më pas nuk ndryshoi.

Pak minuta më pas Dani Olmo ndali topin në vijën e portës për të ruajtur epërsinë e spanjollëve.

Nico Williams kaloi në epërsi 1:0 Spanjën në minutën e 47-të. Rezervisti Cole Palmer barazoi në 1:1 në minutën e 73-të, ndërsa më pas Oyarzabal vendosi finalen.

Pjesa e dytë e ndeshjes finale ishte e jashtëzakonshme. Me të nisur pjesa e dytë spanjollët kaluan në epërsi. Më pas rrezikuan përmes Dani Olmos, Moratas e Williamsit, por pa gjetur rrugën drejt portës.

Pas zëvendësimeve të bëra, Anglia u kthye në lojë dhe barazoi 1:1. Por sërish Spanja pati më shumë dhe e shënoi golin e fitores dhe festës së madhe.

Në pjesën e parë kishte më shumë taktizime. Spanjollët kishin më shumë topin, por pa krijuar raste të mira.

Gjithsej Spanja i kishte 14 raste, ndërsa Anglia nëntë.

Spanja ka fituar titullin e Evropës për herë të katërt, që është rekord. Gjermania mbetet me tre tituj. Ndërkohë Anglia mbetet në pritje të titullit të parë evropian. Ka vazhduar edhe pritja e anglezëve për trofeun e dytë të madh. Të parin dhe të vetmin e fituan në vitin 1966, kur u shpallën kampionë të botës.

Spanja ka shkëlqyer gjatë gjithë Evropianit dhe vlerësohej favorite e finales. Në grup, Spanja fitoi ndaj Kroacisë, Italisë e Shqipërisë. Në një të tetën e finales e kaloi Gjeorgjinë, duke e mposhtur 4:1. Në çerekfinale, Spanja fitoi 2:1 ndaj Gjermanisë me gol të minutës së 119-të. Ndërkohë spanjollët në gjysmëfinale e kaluan Francën, duke e mposhtur 2:1.

Para Evropianit në Gjermani, Spanja nuk është llogaritur në mesin e favoriteve kryesore. Por Luis de la Fuente formoi një ekip përfaqësueses që i kaloi të gjitha pengesat dhe festoi titullin rekord të Evropës në fund.

Southgate: Spanja ishte ekipi më i mirë në Evropian

9 muaj më parë / 14 kor 2024 23:45
Southgate

Selektori i Anglisë, Gareth Southgate ka pranuar se Spanja ishte më e mira në Euro 2024.

“Mendoj se Spanja ishte ekipi më i mirë në turne. Nuk e kemi mbajtur topin mirë sa duhet, por ishim në lojë deri në dhjetë minutat e fundit. Më vjen keq nga të gjithë. Lojtarët ishin të jashtëzakonshëm. Jam shumë krenar me atë që kanë arritur. Na mungoi vetëm pak”, ka thënë Southgate.

“Pas golit të Palmerit kishim një moment të mirë në ndeshje. Kishim po ashtu rast të artë për të barazuar në fund. Por gjatë 90 minutave nuk jam i sigurt që kemi bërë mjaftueshëm”.

Harry Kane: Një mundësi e humbur

9 muaj më parë / 14 kor 2024 23:18
Harry kane

Kapiteni i Anglisë, Harry Kane, është shprehur i dëshpëruar për humbjen në finale.

“Është vështirë të gjesh fjalë  për atë se si ndihemi tani. Ndeshje e vështirë. Bëmë mirë dhe u kthyem në lojë, por dështuam të ndërtojmë prej atij momenti. Të pësosh vonë është vështirë e pranueshme. Jemi kthyer gjatë gjithë turneut. Por nuk kemi bërë hapin para që ta fitojmë Evropianin. Në pjesën e parë kemi vuajtur. Nuk kemi mundur të mbajmë topin. Pjesa e dytë ishte më e mirë dhe kemi shënuar golin. Është një mundësi e humbur. Nuk arrihet lehtë në këto finale. Duhet ta marrësh rastin kur të vije dhe ne nuk e kemi bërë sërish. Është vërtetë e dhimbshme dhe do të dhemb për kohë të gjatë”, ka thënë Kane.

Shpallet më i miri i Evropianit

9 muaj më parë / 14 kor 2024 23:12
Rodri

Mesfushori spanjoll, Rodri, është lojtari më i mirë i Kampionatit Evropian “Gjermania 2024”.

Ai u shpall më i miri menjëherë pas finales.

Ndërkohë Lamine Yamal u shpall lojtari më i mirë i ri i Euro 2024.

Kush ishte më i miri i finales

9 muaj më parë / 14 kor 2024 23:11
Williams

Më i miri i ndeshjes finale është shpallur Nico Williams, sulmuesi i krahut i Spanjës.

Williamsi e shënoi golin e epërsisë 1:0 të Spanjës.

“Ai ishte shumë i rrezikshëm në sulm dhe ishte i disiplinuar kur është dashur të mbrohet. E ka mbuluar Cucurellan dhe ka bashkëpunuar mirë me Olmon në mesfushë. Ky kombinim prodhoi shumë rrezik. Shënoi gol të bukur dhe ishte prej më të mirëve në fushë”, kanë vlerësuar ekspertët e UEFA-s.

Çfarë drame, Olmo shpëton Spanjën

9 muaj më parë / 14 kor 2024 22:50
Olmo

Dani Olmo ka ndalur topin në vijën e portës për t’i pamundësuar Anglisë golin e barazimit në minutat shtesë.

Spanjaaaaaaaaa

9 muaj më parë / 14 kor 2024 22:46
spanja

Spanja ka kaluar në epërsi 2:1 ndaj Anglisë.

Mikel Oyarzabal shënoi në minutën e 86-të.

Pickford shpëton Anglinë

9 muaj më parë / 14 kor 2024 22:42
Jordan Pickford

Lamine Yamal ka pasur rast të mirë për Spanjën.

Por në minutën e 82-të, Jordan Pickford ishte shpëtimtar i Anglisë.

Angliiaaaaaaaa

9 muaj më parë / 14 kor 2024 22:32
anglia

Anglia ka barazuar në 1:1 rezultatin në ndeshjen ndaj Spanjës.

Cole Palmer shënoi në minutën e 73-të.

Spanja rreshton rastet

9 muaj më parë / 14 kor 2024 22:16
Spanja

Spanja po udhëheq 1:0 ndaj Anglisë, por po vazhdon të shfaqet shumë e rrezikshme.

Dani Olmo, Alvaro Morata e Nico Williams kanë rrezikuar portën e Anglisë pas epërsisë 1:0.

Spanja në epërsi

9 muaj më parë / 14 kor 2024 22:06
Spanja

Spanja ka kaluar në epërsi ndaj Anglisë.

Për 1:0 shënoi Nico Williams në minutën e 47-të.

Asistues ishte Lamine Yamal.

Përfundon pjesa e parë e finales

9 muaj më parë / 14 kor 2024 21:49
Spanja dhe Anglia

Ndeshje të fortë kanë luajtur Spanja e Anglia në pjesën e parë të finales së Euro 2024.

Megjithatë për 45 minuta nuk janë shënuar gola.

Topin më shumë e kishin spanjollët, por raste të rrezikshme nuk u krijuan. Anglia në fund rrezikoi me Phil Foden.

Pse lojtarët e Spanjës nuk këndojnë gjatë himnit?

9 muaj më parë / 14 kor 2024 21:35
Euro 2024

Himni i Spanjës është intonuar shpesh gjatë Evropianit, por edhe në ngjarjet tjera të mëdha.

Por ka pasur shumë pyetje se pse lojtarët e Spanjës nuk kanë kënduar gjatë himnit, madje edhe në finale.

Arsyeja është që himni i Spanjës nuk ka tekst.

Fillimisht himni ishte marshim ushtarak për këmbësorinë spanjolle. U shndërrua në himn zyrtar kombëtar gjatë mbretërimit të Mbretëreshës Isabella II, mes viteve 1833 e 1868. Gjenerali Franco shtoi tekstin në himn gjatë sundimit të tij si diktator. Por teksti u hoq kur ai u largua nga pushteti.

Në vitin 2008, Komiteti Olimpik i Spanjës u përpoq të shtonte tekstin në himn. Por përpjekja e Komitetit për të përfshirë “Viva Espana” në pjesën hapëse u kritikua për shkak të lidhjeve me Francon.

Vetëm edhe tri himne nacionale nuk kanë tekst, i Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës dhe San Marinos.

Disa tifozë të Spanjës këndojnë tekste jozyrtare të himnit para ndeshjeve.

Ende pa gola, Spanja po dominon

9 muaj më parë / 14 kor 2024 21:26
Euro 2024

Spanja ka dominuar në 25 minutat e parë të ndeshjes finale të Euro 2024 ndaj Anglisë.

Por ende nuk ka gola të shënuar e as raste të mira për gol.

Publikohen formacionet e finales

9 muaj më parë / 14 kor 2024 19:58
Angli - Spanje

Harry Kane do ta udhëheq sulmin e Anglisë në finale ndaj Spanjës. Ai do të përkrahet nga Phil Foden e Jude Bellingham.

Anglia në finalen ndaj Spanjës luan me sistemin 3-4-3. Në krahun e majtë kthehet Luke Shaw.

Te Spanja janë kthyer në formacion Carvajal e Le Normand, që ishin të suspenduar në gjysmëfinale. Spanja luan me sistemin 4-2-3-1. Alvaro Morata është në sulm, ndërsa në krah paraqiten Lamine Yamal e Nico Williams.

Finalja Spanjë – Angli zhvillohet prej orës 21:00 në Berlin.