Euro 2024

Spanja e Italia në kërkim të kualifikimit

Euro 2024

“Arena AufSchalke” është arenë e superndeshjes mes Spanjës dhe Italisë, dy prej përfaqësueseve më të mëdha evropiane.

Ndeshja Spanjë – Itali zhvillohet të enjten prej orës 21:00. Ndeshja në Gelsenkirchen mund të përcaktojë se cila prej këtyre dy përfaqësueseve kualifikohet në një të tetën e finales në Euro 2024.

Në xhiron e parë Spanja fitoi 3:0 ndaj Kroacisë, ndërsa   Italia shënoi fitore  të vështirë ndaj Shqipërisë, 2:1. Për më tepër, Kroacia e Shqipëria të mërkurën barazuan dhe mbesin me nga një pikë. Kështu që përfaqësuesja që i bën gjashtë pikë siguron avancimin në raundin nokaut.

Spanja e Italia takohen shumë shpesh në kampionate evropiane dhe përballja e së enjtes mbrëma do të jetë vetëm një kapitull i ri në këtë superderbi.

“Nuk është derbi për mua. Në Evropian të gjitha ndeshjet janë finale, janë unike, diçka për t’i mbajtur në mend. Duam të luajmë futbollin e njëjtë që e luajtëm ndaj Shqipërisë. Jam i sigurt se nëse ua lëmë topin spanjollëve do të përfundojë keq për ne. Kështu që duhet të kemi iniciativën dhe të shohim nëse mund të bëjmë diçka ndaj një kundërshtari kaq të madh”, ka thënë selektori i Italisë, Luciano Spalletti.

“Pa asnjë dyshim ne dëshirojmë të fitojmë. Është gjëja e vetme të cilën e mendojmë. Shkojmë ndeshje pas ndeshjeje. Është ndeshje shumë e rëndësishme dhe në secilën ndeshje ne paraqitemi për të fituar. Nuk dimë si të luajmë ndryshe”, ka thënë selektori spanjoll, Luis de la Fuente.