Përzgjedhësi i Anglisë, Gareth Southgate, nuk është ndarë i kënaqur me gjendjen fizike të futbollistëve që treguan në dy ndeshjet e para të grupit C të “Euro 2024”.
Anglia arriti një fitore dhe një barazim me Serbinë dhe me Danimarkën, por Southgate të shtunën, sipas raportimit të mediumit anglez “The Guardian”, ka thënë se presioni i lartë në fushë nuk është duke u bërë nga futbollistët.
“Ne nuk po bëjmë presion sa duhet, me intensitet të mjaftueshëm. Ne kemi kufizime se si mund ta bëjmë këtë me gjendjen fizike. Ne nuk mund të bëjmë presion të lart në fushë siç kemi bërë në kualifikuese, për shembull. Dhe ne nuk po e mbajmë topin sa duhet. Ne duhet ta mbajmë topin më mirë dhe të ndërtojmë me më shumë kontroll”, u shpreh Southgate.
53-vjeçari tutje ka theksuar se Anglia dëshiron që të dalë triumfuese në Evropianin “Gjermania 2024”.
“Ne po përpiqemi të bëjmë diçka që nuk është bërë kurrë më parë “të fitojmë Euron”. Ne duhet të pranojmë nivelin e pritshmërive, duhet të pranojmë arenën ku jemi. Dhe ne duhet të gjejmë një mënyrë më të mirë për të luajtur ashtu siç kemi bërë deri tani”, ka potencuar anglezi.