Sllovakia do të ballafaqohet me Anglinë që po kalon formë të dobët në 1/8 e finales të Kampionatit Evropian. Kjo ndeshje luhet të dielën në Gelsenkirchen, ndërsa sllovakët do të mbështeten në lojtarët me eksperiencë në skuadër, për ta përballuar presionin e fazës nokaut.
Sllovakia është treguar befasia e deritashme, ndërsa pa dyshim se Anglia do të jetë favorite e madh për të avancuar në çerekfinale. Por do të ballafaqohet me një ekip kompakt, që punon fort dhe që në radhët e veta e ka Stanislav Lobotkan impresiv, i cili po vlerësohet si dirigjent i orkestrës në mesfushë.
Sllovakia avancoi në fazën nokaut pas barazimit 1:1 me Rumaninë në ndeshjen e fundit të Grupit E dhe përfundoi e treta në grup me katër pikë.
“Anglia ka kualitet, por secili kundërshtar që ka luajtur kundër tyre ka arritur t’u shkaktojë probleme”, ka thënë mesfushori Ondrej Duda për “TV Markiza”.
Lobotka ishte njeriu i ndeshjes në dy prej tri ndeshjeve të fazës grupore dhe ishte balancues i mbrojtjes dhe sulmit kundër Rumanisë, sidomos kur skuadra e tij ishte nën presion.
“Kualifikimi në 1/8 e finales është diçka e papërshkrueshme”, ka thënë Lobotka. “Ia arritëm dhe më së shumti jam i kënaqur që e kemi luajtur lojën tonë. Nga fillimi kemi dashur ta luajmë lojën tonë dhe kemi luftuar për njëri-tjetrin. Ne do të mundohemi të shkojmë sa më larg në këtë turne”.
Lobotka e formon treshen e mesfushës me Dudan dhe veteranin Juraj Kucka, 37-vjeçar. Me përvojë të madhe vlerësohen edhe 37-vjeçari, mbrojtësi i krahut të djathtë, Peter Pekerik, si dhe portieri 35-vjeçar, Martin Dubravka.
Kur Sllovakia luajti me këtë treshe në ndeshjen hapëse kundër Ukrainës, u bë vetëm ekipi i dytë në histori të Evropianit që përzgjedh tre futbollistë 35-vjeçarë apo më të vjetër. Franca në vitin 2008 kishte Gregory Coupetin 35-vjeçar në atë kohë, Claude Makalelen 35-vjeçar, dhe Lilian Thuramin, 36-vjeçar.
Trajneri 55-vjeçar i Sllovakisë, italiani Francesco Calzona, ka qenë asistent në tërë karrierën e tij, derisa e mori drejtimin e përzgjedhësit në këtë përfaqësuese në vitin 2022. Ka bërë që ky grup të punojë shumë, e të luftojë fort, për çdo top.
“Jam shumë i lumtur që kemi avancuar. Mendoj se kemi arritur diçka të rëndësishme”, ka thënë Calzona. “Kemi qenë në gjendje të luajmë tri ndeshje në nivel të lartë, kundër ekipeve që janë më lart në renditjen e FIFA-s. Tani kemi një tjetër synim para. Duam që të mbetemi në turne sa më shumë që të mundemi. Besoj se do të jemi shumë të përgatitur për 1/8 e finales”.