Sulmuesi i Spanjës, Joselu Mato, u ka thënë mediave të mërkurën se shpreson që ta pensionojnë Toni Kroosin të premten, kur Spanja ballafaqohet me Gjermaninë në çerekfinale të Evropianit.
Mesfushori i Gjermanisë, Kroos, po luan në turneun e tij të fundit. Ai ka deklaruar se pas përfundimit të Evropianit, do të pensionohet nga futbolli aktiv.
“Shpresojmë që ajo të jetë ndeshja e tij e fundit. Nuk është ndeshje speciale vetëm se ai është këtu. Është çerekfinalja kundër një ekipi të shkëlqyer. Shpresojmë që ta pensionojmë Tonin të premten. Ai ka qenë shok i imi. Kemi folur shumë dhe më ka këshilluar shumë. Ai është shumë i rëndësishëm për Gjermaninë dhe ka qenë i rëndësishëm për kohë të gjatë te Real Madridi. Duhet të jemi të kujdesshëm ndaj tij të premten”, ka theksuar Joselu, që së fundmi u transferua te Al Gharafa në Katar nga Real Madridi.
Ndeshja Spanja – Gjermania luhet të premten nga ora 18:00 në Stuttgart.