Përfaqësuesja e Serbisë është eliminuar nga Kampionati Evropian i futbollit.

Serbia të martën mbrëma barazoi pa gola me Danimarkën dhe kështu mbeti e fundit në Grupin C me dy pikë. Danimarka është kualifikuar në një të tetën e finales.

Në fakt danezët kanë dominuar plotësisht në ndeshjen ndaj Serbisë. Kishin raste të mira në pjesën e parë e po ashtu në të dytën. Por nuk kanë realizuar gol dhe kështu ndeshja përfundoi 0:0.

Lojtarët e Serbisë kanë rrezikuar fare pak, ndonëse u duhej fitorja për të avancuar.

Eliminimit të Serbisë me shumë gjasë u janë gëzuar edhe autoritetet gjermane. Në të tri ndeshjet ku luajti kjo përfaqësuese ka pasur telashe të mëdha të shkaktuara nga huliganët serbë.

Të martën në Munih kishte përleshje të huliganëve serbë me policinë gjermane. Gjatë ndeshjes janë hedhur shumë gjësende në fushën e lojës.

Ka pasur edhe fyerje ndaj Kosovës e shqiptarëve para e gjatë ndeshjes.

Erikseni lojtar i ndeshjes

9 muaj më parë / 25 qer 2024 23:13
Christian Eriksen

Christian Eriksen vazhdon të shkëlqejë, tri vjet pas arrestit kardiak dhe kthimit të pabesueshëm më pas në fushat e futbollit.

Ylli danez u shpall më i miri i ndeshjes së Danimarkës me Serbinë. Ndeshja përfundoi pa gola por Danimarka me barazim avancon në një të tetën e finales. Shumica e aksioneve të Danimarkës janë nisur nga Erikseni.

Huliganët serbë vazhdojnë me hedhje të gjësendeve në fushë

9 muaj më parë / 25 qer 2024 22:16
ser

Huliganët serbë vazhdojnë me hedhje të gjësendeve në fushë, shisheve e gotave të ujit.

Këtë po e bëjnë edhe në ndeshjen ndaj Danimarkës.

Rezultati mbetet 0:0.

Dominim i plotë i Danimarkës në pjesën e parë

9 muaj më parë / 25 qer 2024 21:47
danimarka

Photo: Associated Press

Danimarka ka dominuar plotësisht në pjesën e parë të ndeshjes ndaj Serbisë. 

Danezët kanë rreshtuar rastet, por megjithatë nuk kanë realizuar. Rezultati mbetet 0:0.

Rast i mirë për Danimarkën

9 muaj më parë / 25 qer 2024 21:24
danimarka

Photo: Associated Press

Danimarka po dominon në ndeshjen ndaj Serbisë. Christian Eriksen goditi bukur në minutën e 21-të, por portieri serb shpëtoi portën e tij.

Thirrje kundër Kosovës të huliganëve serbë

9 muaj më parë / 25 qer 2024 21:17
danimarkë - serbi

Huliganët serbë po vazhdojnë me thirrje kundër Kosovës edhe në ndeshjen e Serbisë me Danimarkën. Gjatë gjithë Evropianit, huliganët serbë kanë shfaqur qëndrime anti-Kosovë.

Shpresohet që Serbia të eliminohet sonte.