Euro 2024

Rrugëtimi i Watkinsit, nga kategoria e gjashtë në hero të Anglisë

Ollie Watkinsi

Ollie Watkins është realist, sipas fjalëve të tij. Ai kurrë nuk e ka imagjinuar veten duke luajtur në ngjarje të madhe për Anglinë. Sidomos jo kur si adoleshent që po e mësonte lojën në sulm, u dërgua huazim në klubin e kategorisë së gjatë angleze Weston-super-Mare në vitin 2015.

Pra, imagjinoni se çka ka mundur të kalojë në mendjen e Watkinsit kur ai pa se topi i goditur në minutat shtesë e kaloi portierin e Holandës, Bart Verburggen, dhe përfundoi në rrjetë, për t’ia siguruar Anglisë vendin në finalen e Kampionatit Evropian.

“Nuk mendoj se kam goditur kaq ëmbël topin ndonjëherë në të kaluarën”, ka thënë Watkins pas fitores 2:1 të Anglisë ndaj Holandës në gjysmëfinalen e së mërkurës.

Papritur Watkins është hero sportiv i Anglisë. Duket një kthesë e pabesueshme në fatin e sulmuesit që kishte luajtur 24 minuta në “Euro 2024”, si zëvendësues në ndeshjen e fazës së grupeve kundër Danimarkës, para  se të hynte në fushë në minutën e 80-të në vend të Harry Kane në gjysmëfinalen ndaj Holandës. Dhe më pas erdhi momenti më i madh në karrierën e 28-vjeçarit.

Të jesh zëvendësues i Kanes, golashënuesit më të mirë në histori të Anglisë me 66 gola, nuk është gjë e lehtë. Minutat janë të pakta dhe Kane zakonisht luan deri në fund. Kështu që secila mundësi duhet të shfrytëzohet maksimalisht.

Watkinsi e bëri pikërisht këtë me golin vendimtar. Paraqitje të tilla tifozët e Premier Leagues i kanë parë nga Watkinsi gjatë paraqitjeve të tij për Aston Villan.

Watkinsi kontrolloi topin që e mori  nga Cole Palmer, derisa ishte i kthyer me shpinë kah porta. Më pas në lëvizje shmangu mbrojtësin dhe gjuajti saktë.

“Në këtë mënyrë luaj unë, bëj probleme për kundërshtarët”, ka thënë Watkins.

Duket e thjeshtë, por sulmues i tillë është Watkinsi. Punon shumë. Nuk është vetjak. Është lojtar për ekipin.

“Kam punuar shumë për të arritur në këtë pikë”, ka thënë Watkins, që i kishte 18 gola në Premier League. “Nuk ka të bëjë vetëm me këtë edicion. Është proces më i gjatë. Kam punuar shumë dhe do të shijoj secilin moment”. 

Ishte e pritur që Watkins u vlerësua lart nga bashkëlojtarët tek Anglia. Festa ishte përreth tij. Ai i ka katër gola për Anglinë, dy prej tyre ndaj San Marinos, përfaqësueses më të dobët në botë.

“Kam pranuar disa mesazhe nga shokët që më kanë thënë të jem i durueshëm dhe se do të kem rastin. Derisa isha në stol i kam thënë portierit Dean Henderson se mund ta bëj dallimin sonte, se duhet të jem në fushë. Qartë, se e shfrytëzova rastin kur e fitova atë. Kam shënuar dhe tani jemi në finale”.