Euro 2024

Ronaldo – Mbappe, përballja e gjeneratave në “Euro 2024”

Cristiano Ronaldo dhe Kylian Mbappes

Foto: AP

Cristiano Ronaldo kundër Kylian Mbappes. 

Përballje e ikonave të futbollit. Ballafaqim i gjeneratave. 

Yjet do të luajnë kundër njëri-tjetrit kur Portugalia do të ndeshet me Francën në çerekfinale të “Euro 2024”, të premten. 

“Pa dyshim ky Evropian është i fundit”, ka thënë 39-vjeçari Ronaldo me lot në sy e me plot emocione pasi Portugalia e kishte eliminuar Slloveninë në një të tetën e finales, pas ekzekutimit të penalltive. 
Kjo thuajse ka konfirmuar atë për të cilën flisnin shumica e njohësve të futbollit. 

Megjithatë, aventurës së gjatë të Ronaldos në Kampionate Evropiane mund t’i vijë fundi nga Mbappe, që vlerësohet pasues i Ronaldos dhe Lionel Messit, dyshes që për shumë kohë ka dominuar në këtë sport. 

Mbappe u rrit me fotografitë e Ronaldos në dhomën e tij. 

Këto fotografi janë bërë virale para paraqitjes së tyre të parë kundër njëri-tjetrit. Njëra fotografi, megjithatë, ka qenë më e veçanta. Ishte momenti kur në qendrën stërvitore të Real Madridit në vitin 2012, në Valdebebas, Mbappe 13-vjeçar kishte qëndruar prapa Ronaldos pas një vizite në klubin spanjoll. Heroi i tij në atë kohë ishte yll i futbollit.

Në vitin 2020, Mbappe postoi në Twitter, tani platforma X, se Ronaldo ishte “idhulli” i tij. 

Dhe vetëm para disa javësh, Ronaldo kishte reaguar pas kalimit të Mbappes te Real Madridi dhe i shkroi në Instagram: 

“I ngazëllyer të shoh duke e ndriçuar Bernabeun”. 

Mbappe tani e ka rastin që ta ndërpresë rrugëtimin e karrierës së Ronaldos në Kampionatin Evropian – kush e di, ndoshta mund të jetë turneu i tij i fundit. Kjo ndeshje që luhet të premten nga ora 21:00 në Hamburg, do të shikohet në mbarë botën. 

“Le të shkojmë, le të shkojmë në luftë”, ka thënë Ronaldo për ndeshjen ndaj Francës, të cilën e vlerëson si favoriten për të triumfuar në “Euro 2024”, bashkë me Spanjën. 

Ai ka thënë se qau në duelin kundër Sllovenisë jo për shkak se e mendonte eliminimin, por për shkak se motivimi i tij kryesor në këto ditë ka qenë që t’i bëjë “njerëzit e lumtur”. Ndërkohë, penalltia e tij ishte pritur në kohën shtesë. 

“Unë kënaqem nga kuptimi i futbollit – nga entuziazmi që kam për këtë lojë, entuziazmi për t’i parë përkrahësit e mi, familjen time, dashurinë që njerëzit kanë për mua. Nuk ka të bëjë me lënien e botës së futbollit. Çfarë tjetër kam për të bërë apo për të fituar?”. 

Ronaldo hyn në ndeshjen e së premtes pa shënuar gol në tetë ndeshje rresht në turne madhor – katër ndeshje në Kupën e Botës 2022 dhe katër në këtë Evropian – dhe kjo ka ngritur pyetje nëse ai e meriton të ketë vendin e garantuar nën drejtimin e trajnerit Roberto Martinez. 

Situata nuk ka qenë e mirë as për Mbappen në “Euro 2024”. 

Ai e theu hundën në ndeshjen hapëse të Francës kundër Austrisë dhe prej asaj kohe po shfaqet në fushë me maskë për mbrojtje. Mbappe e ka shënuar një gol dhe ishte nga penalltia kundër Polonisë. Është i vetmi gol i shënuar nga ndonjë lojtar i Francës në këtë Evropian. 

“Ai do të mësohet me përdorimin e saj”, ka thënë selektori i Francës, Didier Deschamps për maskën e Mbappesë, “sepse, për ta mbrojtur hundën, ai duhet ta mbajë atë për disa javë – apo edhe muaj”. 
Pak njerëz do të parashikonin se golashënuesi më i mirë i Kupës së Botës në Katar, Mbappe, dhe golashënuesi më i mirë në nivel përfaqësuesesh, Ronaldo, do ta shënonin së bashku vetëm një gol para hyrjes në çerekfinale. 

Por askush nuk mbetet i befasuar para ndeshjes në Hamburg, me presionin që ata e kanë në ngjarje të mëdha. 

Mbappe shënoi “hat-trick” në finale të Kupës së Botës dhe ka shifra të përafërta me Ronaldon sa u përket golave të realizuar në pjesën e parë të karrierës. Ai tashmë ka 48 gola për Francën në moshën 25-vjeçare, dhe 48 gola tjerë në Ligën e Kampionëve nga 73 paraqitje. 

Ai po e ndjek rekordin e Ronaldos në nivel përfaqësuesesh (130 gola) dhe të Ligës së Kampionëve (140 gola). 

Pra, pasioni dhe dëshira, është thuajse e ngjashme me atë të Ronaldos. 

Si kapitenë të shteteve të tyre, ata do t’i japin dorën njëri-tjetrit e do të përqafohen para nisjes së ndeshjes. Mund të vini bast se të njëjtën gjë do ta bëjnë edhe pas përfundimit. 

Por, në të njëjtën kohë, njëri prej tyre do të jetë rrugës për në shtëpi. 

Për Mbappen, do të ketë edhe më shumë Kampionate Evropiane në rrugëtimin e tij. 

Për Ronaldon, ky mund të jetë përfundimi i rrugëtimit.