Euro 2024

Ronaldo e Modriq dëshmojnë që mosha nuk është pengesë për yjet modernë të futbollit

Luka Modriq - Cristiano Ronaldo

Në moshën 39-vjeçare dhe duke u bërë gati për të luajtur në Evropianin e gjashtë, jetëgjatësia e Cristiano Ronaldos në nivelin më të lartë të futbollit duket thuajse e pabesueshme.  Me pesë Evropianë të luajtur, Ronaldo tashmë mban rekordin.

Luka Modriq është 38-vjeçar, luan për Real Madridin dhe pritet të jetë lojtari kryesor i Kroacisë në “Euro 2024” që fillon të premten në Gjermani.

Lojtarët më të mirë po qëndrojnë më gjatë në nivelin më të lartë, pavarësisht ritmit dhe intensitetit më të lartë në futbollin modern.

“Shkenca sportive ka ndikuar në mënyrën se si ne e përgatisim lojtarin e sotëm sa i përket dietës, ushqimit, stilit të jetesës, programit stërvitor. Kemi lëvizur nga vitet 80-ta dhe 90-ta duke rritur nivelin e profesionalizmit”, thotë për AP, Tony Strudwick, shkencëtar sportiv. Ai ka përvojë prej më shumë se tri dekadash në futboll.

Strudwick ka mbajtur pozita të rëndësishme në Manchester United, Arsenal dhe tek Anglia. Aktualisht është drejtor i mjekësisë në klubin West Bromwich Albion.

Ai punoi me Ronaldon tek Unitedi, kur sulmuesi portugez u bë njëri prej lojtarëve më të mirë në botë.

“Ai ka punuar për sukses. Katër apo pesë vjet më parë kam theksuar se duke ditur sa profesionist është Ronaldo ai do të mund të luante deri në moshën 40-vjeçare. Ky nuk ishte ndonjë problem”, ka shtuar Strudwick.

Ronaldo është gati të festojë ditëlindjen e 40-të, por nuk ka shenja se është gati të largohet nga futbolli.

Me përparimin e shkencës sportive, jetëgjatësia që po arrijnë lojtarët si Ronaldo e Modriq mund të jetë një lloj norme.

Nuk është se sportistët kanë ndryshuar fizikisht gjatë viteve. Ndryshimi është kryesisht në aspektin e mentalitetit.

Përmirësimi i stilit të jetës së lojtarëve po zgjat karrierën e tyre. Më shumë sportistë po përdorin shërbimet e ekspertëve të fitnesit dhe kondicionit për të siguruar që të mbajnë gjendje të mirë edhe jashtë sezonit.

Shumë top-lojtarë po ashtu mbështeten në shërbimin e kuzhinierëve privatë të cilët ofrojnë ushqime ditore që janë të balancuara sa i takon ushqyerjes. Kjo është shtesë e asaj që ofrojnë klubet elitare, që kanë departamente të ushqyerjes për të rritur performancën e lojtarëve.

Në të kaluarën disa lojtarë hanin biftek para ndeshjes. Por shumëçka ka ndryshuar sa i takon ushqimit. Disa trajnerë madje i ndalojnë edhe salcat në tavolinë.

Rod Thornley, masazher që ka punuar te Manchester Unitedi e Anglia, kujton kohen kur Fabio Capello mori drejtimin e “Tre Luanëve”.

“Vakti i parë me Capellon para ndeshjes së parë ishte një tas i madh me makarona. Nuk kishte salcë, vetëm makarona”, tregon Thornley.

“Lojtarët shikonin të habitur duke pyetur: Çka është kjo? Ne nuk mund ta hamë këtë. Por kjo ishte e gjitha që ofroi trajneri. Ishte e tëra”.

Masazhi po ashtu luan rol të rëndësishëm në shmangien e lëndimeve dhe kështu në zgjatjen e karrierës. Lojtarët bashkëkohorë kanë disa seanca masazhi gjatë javës, në qendrën stërvitore të klubit apo në shtëpi.

Banjat me akull përdoren po ashtu për të ndihmuar në rikuperim.

Në karrierën më të gjatë të lojtarëve ndikon edhe aspekti financiar. Sa më gjatë që qëndrojnë duke luajtur, futbollistët paguhen më shumë. Dhe të hyrat për ta nuk kanë qenë asnjëherë më të larta.

Ronaldo, për shembull, paguhet 200 milionë dollarë në vit tek Al Nassr në Arabinë Saudite. Dhe milionat i shtohen në llogari për secilin vit që e kalon duke luajtur.