Në finalen e Evropianit 2020, Anglia kishte pësuar disfatë në finale nga Italia pas ekzekutimit të penalltive. Por, mesfushori Declan Rice shpreson që finalja e së dielës ndaj Spanjës në “Euro 2024” të mos përfundoj me disfatë si para tre vjetësh.
Rice të premten ka theksuar se disfata nga Italia në finale i ka mbetur në mendje.
“Ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë në krahasim me herën e kaluar, për sa i përket mënyrës sesi të kontrollojmë lojën. Ne e dimë se si mund ta fitojmë këtë finale. Në dy ndeshjet e fundit kemi folur për Zvicrën dhe Holandën dhe mënyrën se si ata e mbajnë topin, por ne e mbajtëm topin po aq mirë, nëse jo më mirë”, u shpreh Rice, shkruan “The Guardian”.
Rice ka luajtur për Anglinë në gjashtë ndeshje të “Euro 2024” dhe ka kontribuar me një asistim.