Për shkak të paraqitjes jo të mirë ndaj Austrisë, përzgjedhësi i Holandës, Ronald Koeman, ka vendosur të zhvillojë stërvitje me intensitet të lartë para ndeshjes së parë të fazës nokaut. Holanda të martën do të takohet me Rumaninë në Munich, në ndeshjen që nis në orën 18:00.
Holandezët në kampin e tyre kanë filluar që të shprehin mendimet e tyre dhe të kritikojnë nëse është e nevojshme, vetëm për të pasur sukses.
Mesfushori Tijjani Reijnders në konferencë për shtyp të shtunën, u shpreh se Holanda ndaj Rumanisë, nuk duhet ta shfaqë të njëjtin nivel të ndeshjes si me Austrinë.
“Tani e tutje, me fitore kalojmë tutje ndërsa humbja na kthen në shtëpi. E kam parë sërish ndeshjen ndaj Austrisë dhe pashë se çfarë mund të përmirësohej. Duhet të sigurohemi që të mos ndodhë më. Rumania është kundërshtari ideal për të treguar se si duhen bërë gjërat. Ata gjithashtu luajnë me intensitet të lartë. Duhet të jemi shumë më të kujdesshëm me topin, diçka që nuk e kemi bërë në duelin me Austrinë”, ka theksuar 25-vjeçari.
Holanda në një të tetën e finales është kualifikuar nga pozita e tretë në grupin D me katër pikë.