Didier Deschamps do ta kërkojë fitoren e 100-të si selektor i Francës, kur “trekolorët” të dalin në fushën e stadiumit në Duesseldorf për ndeshjen ndaj Austrisë.
Ndeshja Austri – Francë zhvillohet të hënën nga ora 21:00 dhe i takon Grupit C të Euro 2024. Në kuadër të këtij grupi, Holanda të dielën fitoi 2:1 ndaj Polonisë.
55-vjeçari Deschamps është bindshëm trajneri më me përvojë në Evropianin në Gjermani. Ka gati 12 vjet që drejton “Les Bleus”, ndërsa kishte karrierë të hatashme edhe si lojtar. Ai do ta drejtojë Francën për herë të 154-t, ndërsa ka bilanc prej 99 fitore, 30 barazime e 24 humbje. Vazhdimësia dhe qetësia janë anët e forta të Deschampsit si trajner.
Deschamps ka qenë selektor për tre vjet më shumë se Gareth Southgate i Anglisë, që është i dyti në listë sa i takon përvojës. Tekniku francez ka fituar Botërorin si lojtar e si selektor. E ka udhëhequr Francën drejt dy finaleve të Kupës së Botës. Në Katar në vitin 2022, Franca u mposht vetëm me penallti nga Argjentina.
Në Gjermani, Franca është prej favoriteve më të mëdha. Niveli i lojtarëve francezë është i lartë, por edhe puna e Deschamps ka ndikim.
“Ndeshja e parë është shumë e rëndësishme. Jo vendimtare, por shumë e rëndësishme. Me fitore jemi në pozitë të mirë dhe ky është synimi ynë. Por Austria e synon të njëjtën gjë”, ka thënë Deschamps. Ai ka theksuar se Austria luan me intensitet dhe se ka kualitet.
Në Evropian pritet të shkëlqejë Kylian Mbappe, tashmë lojtari i Real Madridit.
“Jemi të fokusuar. Jemi përgatitur shumë mirë. Do të garojmë, do të mbrojmë ngjyrat e vendit tonë”, ka thënë Mbappe.
Austriakët kanë shpresa të mëdha për ta kaluar grupin në Evropian. Nëse shmangin humbjen nga Franca, do të jetë sukses i madh për austriakët.