Euro 2024

Përkrahje e madhe për Anglinë në finalen e “Euro 2024”

Angli

Përfaqësuesja e Anglisë në futboll do të ketë mbështetje të madhe nga tifozët në finalen e “Euro 2024”. Të premten mediumi anglez “The Guardian”, ka njoftuar se rreth 35 mijë tifozë anglezë do të jenë të pranishëm në stadiumin e Berlinit, për ta përkrahur Anglinë në finale ndaj Spanjës.

Tifozët e Anglisë pritet të vendosen në tribunën perëndimore të “Olympiastadion”.

Ndërsa, Shoqata e Tifozëve të Futbollit në Angli (FSA), u ka bërë thirrje mbështetësve të dy përfaqësueseve që të mos sigurojnë bileta ilegalisht.

“Ne po u kujtojmë mbështetësve për rreziqet kur blejnë bileta përmes faqeve jozyrtare në internet, si dhe nëpër media sociale. Ka mundësi që të humbisni paratë tuaja dhe të përfundoni pa biletë. Kjo u ndodh shumë tifozëve në çdo turne”, ka deklaruar FSA-ja. 

Për Anglinë është finalja e dytë në një Kampionat Evropian. Të dielën Anglia e synon trofeun e madh në futbollin ndërkombëtar pas 58 vjetësh pritje. Në vitin 1966 kishte triumfuar në Kupën e Botës.