Euro 2024

Perishiq: Shqipëria, ekip fantastik

Ivan Perishiq

Kroacia synon fitoren e parë në Euro 2024, por në kampin kroat janë të vetëdijshëm se ndaj Shqipërisë nuk do ta kenë lehtë.

Ndeshja Kroaci – Shqipëri zhvillohet të mërkurën prej orës 15:00 në Hamburg.

Në xhiron e parë të Grupit B, Kroacia humbi 3:0  nga Spanja. Shqipëria pësoi 2:1 nga Italia.

“Është ekip i mirë”, ka thënë Ivan Perishiq për Shqipërinë. Perishiqi është njëri prej lojtarëve kryesorë të Kroacisë.

“Ka bërë kualifikime të mira, kemi parë disa vide dhe do të shohim edhe disa detaje. Është ekip fantastik, që vrapon shumë dhe lojtarët e Shqipërisë do të vdein në terren nga fillimi e deri në fund. Nëse edhe ne nuk luajmë njëjtë, do të jetë vështirë. Nga fillimi angazhim maksimal dhe shkojmë për tri pikë”, ka shtuar Perishiq.

Selektori kroat, Zlatko Daliq, ka paralajmëruar disa ndryshime në krahasim me ndeshjen e parë.

“Shqipëria sigurisht nuk e ka nivelin e Spanjës, por meriton shumë respekt. Te Shqipëria do të jenë shumë të motivuar dhe shumë të organizuar, ndërsa ne duhet të jemi të durueshëm. Synimi kryesor është fitorja. Do të jemi ofenziv, ndonëse ndaj Spanjës kishim më shumë topin në këmbë dhe më shumë goditje, por që nuk i kemi shfrytëzuar. Do të ketë disa ndryshime në formacion, por ende do të vendosim. Të gjithë që do të fillojnë e dinë synimin që kemi”, ka thënë Daliq.

Perishiq po ashtu ka thënë se për Kroacinë do të jetë e rëndësishme të jetë e durueshme. Sipas tij, ndeshja duhet të fillohet më mirë se ndaj Spanjës.

Selektori Daliq ka theksuar se qasja e të tjerëve ndaj Kroacisë nuk ishte asnjëherë e duhura. Ka thënë se për gjashtë vjet i kanë fituar tri medalje.

“Nuk e di kush tjetër pos Francës e ka arritur këtë, ndërsa unë gjithnjë them se Kroacia meriton më shumë respekt. Ne i kemi tri medalje, ndërsa Anglia një në 58 vjet. Anglezët janë të artë e ne nuk vlejmë. Ne jemi pak, por jemi të fortë dhe luftarakë, ndërsa 100 mijë kroatë në Berlin është dëshmia. Rezultatet tona tregojnë se jemi  më të mirë se që paraqitemi”, ka theksuar Daliq.

Daliq është pyetur se çka do të jetë më e rëndësishmja në ndeshjen ndaj Shqipërisë.

“Durimi. Nuk guxojmë të humbim kokën, duhet të jemi të gjallë deri në fund. Natyrisht, do të ishte mirë të hapim ndeshjen në mënyrën më të mirë.  Por në asnjë moment nuk guxojmë ta humbim kokën. Luajmë për tri pikë, por mund të na mjaftojë edhe një pikë për shkak të ndeshjes së fundit”, ka theksuar selektori kroat.