Euro 2024

Pedri, shpresa e Spanjës për sukses

Pedri - Spanje

Foto: Associated Press

Pedri po e rizbulon formën e tij më të mirë dhe do të ketë rol të rëndësishëm te Spanja në Kampionatin Evropian që fillon të premten në Gjermani.

Kështu ka deklaruar selektori Luis de la Fuente pasi mesfushori i Barcelonës shënoi dy gola në fitoren 5:1 ndaj Irlandës së Veriut, të shtunën mbrëma.

21-vjeçari u përball me lëndime në edicionin e kaluar.  Ai nuk luajti për  Spanjën gjatë vitit 2023. Pedri shënoi golin e parë dhe të dytë për Spanjën në ndeshjen e fundit përgatitore para Euro 2024. Tashmë i ka 20 ndeshje të zhvilluara.

“Jemi shumë të lumtur me paraqitjen e tij. Ai është lojtar shumë i mirë dhe e di që unë kam besim në të. Ai do të na jap gjëra shumë të mira në këtë kampionat”, ka thënë De la Fuente.

“Gjithnjë kam folur për të në kuptimin që duhet të ketë vetëbesim. Kam thënë se ‘Pedri duhet ta takojë Pedrin’, në kuptimin figurativ të rritjes së vetëbesimit. Nuk e dimë cili është limiti i Pedrit, pasi ai është shumë i mirë. Presim shumë prej tij, në pafundësi. Duhet të jetë lojtari që e bën hapin para, që edhe e ka bërë. Duhet të jetë i sigurt, të bëj gjërat që vetëm ai mund t’i bëj”, ka shtuar selektori spanjoll.

Spanja e fillon paraqitjen në Evropian më 15 qershor ndaj Kroacisë. Në kuadër të Grupit B luan  edhe ndaj Italisë dhe Shqipërisë.

Alvaro Morata, Fabian Ruiz dhe Mikel Oyarzabal i shënuan golat e tjerë për Spanjën, që testin final e kishte shumë të suksesshëm.

Spanja, si zakonisht, është në mesin e pretendenteve për titull të kampionit.