Mesfushori spanjoll, Dani Olmo, të premten në konferencë për shtyp para finales së Evropianit ndaj Anglisë të dielën, ka thënë se rrugëtimi i Spanjës deri në finale ishte e vështirë.
“Na është dashur të kalojmë një rrugë të vështirë dhe duhet të jemi krenarë për mënyrën se si arritëm këtu. Stili i lojës që po luajmë është ai që na solli këtu. Ne po ndihemi vërtet mirë, të përgatitur mirë fizikisht dhe mendërisht. Ne e dimë se kemi një mundësi të veçantë të dielën. Jemi shumë të motivuar për ndeshjen e ardhshme”, u shpreh Olmo.
25-vjeçari Olmo ka folur edhe për kundërshtarin që do ta kenë në finale të “Euro 2024”, Anglinë.
“Anglia është një ekip që ka treguar se nuk dorëzohet kurrë. Por edhe ne kemi vuajtur. Kundër Gjermanisë, fitorja në kohën shtesë, kundër Francës nuk ishte e lehtë. Është e vërtetë që luajtëm mirë. Por ne kemi humbur një gjysmëfinale të Kampionatit Evropian tre vjet më parë. E kemi atë përvojë të keqe dhe mësuam se si të përmirësohemi. Ne nuk jemi të shqetësuar për rrugën që Anglia ka bërë. Për mua, dy skuadrat më të mira janë ato që kalojnë në finale. Ne do të përpiqemi të fokusohemi te vetja dhe ta bëjmë më të mirën”, deklaroi futbollisti i Leipzigut.