Gazeta “The New York Times” ia ka dedikuar një shkrim të gjatë futbollistit të Shqipërisë, Nedim Bajrami, i cili fundjavën e kaluar vendosi rekord për golin më të shpejt të shënuar në një Kampionat Evropian.
Bajrami realizoi gol pas vetëm 23 sekondave për Shqipërinë kundër Italisë. Shqipëria në fund pësoi 2:1.
“Shënimi për Shqipërinë në Kampionat Evropian ishte ëndërr për mua që nga fëmijëria. Kam punuar shumë për këtë”, tha Bajrami pas ndeshjes.
Bajrami është një nga 19 lojtarët e Shqipërisë në “Euro 2024” që janë lindur jashtë Shqipërisë.
“NYT” ka treguar se sa është dashur Bajrami të luftojë për të luajtur për Shqipërinë.
Ai është dashur të shkojë në gjykatë për të siguruar të drejtën për të luajtur për Shqipërinë.
Bajrami kishte luajtur për Zvicrën nga grupmosha U-15 deri në atë U-21. Madje në disa ndeshje kishte qenë kapiten, përfshirë një te U-19 kundër Gjermanisë ku luante Kai Havertz.
“Derisa kjo zakonisht do të paraqiste rrugën për të arritur te përfaqësuesja ‘A’ e Zvicrës, gjithmonë kishte diçka që e tërhiqte Bajramin në drejtim tjetër. E gjitha nisi kur Edy Reja, italiani që drejtoi Shqipërinë nga viti 2019 deri më 2022, e kontaktoi Bajramin në vitin 2021 për ta pyetur nëse donte të luante. Kështu që Bajrami e refuzoi ftesën nga U-21 e Zvicrës për të luajtur në Evropianin atë vit”, ka shkruar “NYT”.
Seleksionuesi i atëhershëm i U-21 të Zvicrës, Mauro Lustrinelli, kishte treguar se si tentoi ta bindte Bajramin të vazhdonte të luante për Zvicrën.
“Ai na tha se zemra e tij rrah për Shqipërinë. Për ne në kombëtare, identifikimi është një nga vlerat kryesore, kështu që nuk kishim opsion tjetër pos ta lejonim të largohej”, tha Lustrinelli.
Problemi ishte se Bajrami nuk kishte shtetësi shqiptare.
Presidenti i atëhershëm i Shqipërisë, Ilir Meta, në mars të vitit 2021 i dha shtetësinë shqiptare Bajramit siç i dha edhe Adrion Pajazitit të Fulhamit, duke u hapur rrugën drejt Kombëtares së Shqipërisë.
Por edhe një dekret presidencial nuk mjaftoi të bindej FIFA. Ndonëse zbuti rregullat rreth lojtarëve që duan të ndërrojnë përfaqësuesen, problemi te Bajrami ishte, se derisa kishte lidhje të qarta familjare me Shqipërinë, ai nuk kishte pasur shtetësi të dyfishtë në kohën kur luajti për të rinjtë e Zvicrës. "Teknikisht, sipas FIFA-s, ai duhej të kishte pasur nga mosha e re një pasaportë shqiptare për të pasur të drejtë loje. FIFA ia refuzoi për ta ndërruar përfaqësuesen, e më pas edhe apelin, pjesërisht se kishte luajtur katër herë për U-21 e Zvicrës pasi mbushi 21 vjet”, ka treguar “NYT”.
Bajrami më pas e dërgoi rastin në Gjykatën e Arbitrazhit për Sport (CAS), duke pretenduar se FIFA ishte panevojë shumë urdhëruese në mënyrën se si zbatoheshin rregullat e saja. Debati ishte se vendimet fillestare të FIFA-s në rastin e Bajramit ishin një interpretim tepër i rreptë i rregullores.
CAS u pajtua dhe vendosi në favor të Bajramit dhe Shqipërisë më 30 gusht të vitit 2021, duke e bazuar arsyetimin se ai kishte luajtur për Zvicrën vetëm në grupmosha të reja.
“Unë vendosa të luaja për Shqipërinë pasi dëgjova zemrën time”, tha Bajrami, pas vendimit.
Bajrami shënoi gol historik në Euro 2024 dhe ai është lojtar i momenteve të mëdha. Shënoi gol spektakolar kundër Çekisë nga afro 30 metra, duke siguruar barazimin 1:1 dhe e ndihmoi Shqipërinë që të siguronte vendin e parë në grupin kualifikues për “Euro 2024”.
Po ashtu ka siguruar reputacion për gola të mëdhenj në nivel të klubeve. Bajrami kaloi në Itali në vitin 2019, fillimisht te Empoli dhe nga viti 2023 te Sassuolo. Ai ka realizuar 10 gola në Serie A, por pesë prej tyre kundër skuadrave të mëdha si Milan, Inter, Lazio e Roma.
“Pavarësisht se sa gola të mëdhenj ai arrin në nivel të klubeve, vështirë se do ta mposhtin golin për 23 sekonda që e realizoi në Dortmund kundër Italisë”, shkruan “NYT”.