Suksesi i rregullit të prezantuar në Euro 2024 që vetëm kapitenët mund të diskutojnë me arbitrin për vendimet, ka bërë që UEFA ta shtrijë qasjen e re në të gjitha garat e saj.
Këtë e bëri të ditur të premten Konfederata Evropiane e Futbollit.
UEFA vendosi për qasje të re gjatë Evropianit në Gjermani në tentim për të lehtësuar komunikimin dhe për ta bërë atë më të qartë. Arbitrat ia shpjegojnë vendimet kryesore kapitenit të ekipit, i cili kështu është i vetmi lojtar që lejohet të kërkojë sqarime prej tij.
Lojtarët që i shpërfillin këto rregulla dhe i afrohen arbitrit, duke treguar kështu mospajtim apo edhe shenja mosrespekti, ndëshkohen me karton të verdhë. Kjo ka ndodhur në disa raste në Euro 2024. Nëse kapiteni është portier, atëherë përfaqësuesja mund ta caktojë një lojtar tjetër në fushë për këtë detyrë.
“Procesi është pozitiv. Arbitrat po japin informacione në fushë për kapitenët, të cilët po përgjigjen në një mënyrë shumë pozitive”, ka thënë drejtori menaxhues i UEFA-s për referim, Roberto Rosseti, në një konferencë për shtyp.
“Për lojtarët e tjerë është më e lehtë. Ata nuk shkojnë te referi, nuk ngacmojnë ata, kështu që kjo është shumë pozitive për futbollin. Kemi pasur disa sanksione ndaj lojtarëve që nuk kanë respektuar këtë. Është fazë kalimtare, por tashmë kemi pranuar kërkesa nga federatat nacionale në Evropë që duan të përfshijnë këtë qasje”, ka shtuar përgjegjësi i UEFA-s për referim.
Tri garat e klubeve të UEFA-s, Liga e Kampionëve, Liga e Evropës dhe Liga e Konferencës nisin javën e ardhshme. Do të zhvillohen ndeshjet e raundeve të para kualifikuese. Dhe rregulli i ri i UEFA-s do të jetë në fuqi. Pra me arbitrin mund të komunikojnë vetëm kapitenët. Kështu skenat ku shumë lojtarë grumbullohen rreth arbitrit i takojnë historisë.