Franca ka vuajtur për të shënuar gola në “Euro 2024”, ndërsa kualifikimi në çerekfinale është më së shumti meritë e mbrojtjes stabile që i ka lënë të gjithë kundërshtarët e frustruar.
“Les Blues” ende nuk ka shënuar në Evropian nga loja e hapur. Fazën e grupeve dhe një të tetën e finales francezët e kanë kaluar me një gol të Kylian Mbappes, nga penalltia dhe dy autogola. I fundit u shënua nga Jan Vertonghen i Belgjikës për fitoren 1:0 të Francës, të hënën në një të tetën e finales.
Por, ekipi i Didier Deschamps ka pranuar vetëm një gol deri më tani. Edhe ai gol ishte nga pika e bardhë. Robert Lewandowski, kishte realizuar penallti në barazimin 1:1 të Polonisë me Francën.
Franca është larg shkëlqimit që e ka shoqëruar në ngjarjet e kaluara të mëdha. Në Kupën e Botës 2022, kishte shënuar plot nëntë gola në rrugën deri në çerekfinale. Shtatë gola i kishte shënuar në katër ndeshjet e para në Botërorin 2018.
Në Gjermani, Franca e Spanja kanë mbrojtjen më të sigurt, duke pësuar vetëm nga një gol në katër ndeshjet e para. Mbrojtësit e qendrës, William Saliba dhe Dayot Upamecano nuk kanë startuar së bashku në sistemin me katër mbrojtës deri në miqësoren e muajit të kaluar ndaj Kanadasë. Por, po funksionojnë mirë.
“Kemi një qëndrueshmëri interesante në mbrojtje. Është esenciale në këtë nivel. Kemi bërë rrugë të gjatë, nuk ishte e lehtë“, ka thënë selektori i Francës, Didier Deschamps.
“Nuk ka të bëjë vetëm me atë që të mbrohemi mirë. Ne kishim kontroll të mirë të topit. Lojtarët bënë çdo gjë që mundën për t’u siguruar që të mos pranojmë gol”.
Sulmuesi Randal Kolo Muani, goditjen e të cilit e devijoi për në portë Vertonghen, po ashtu ka lavdëruar mbrojtjen.
“Duhet të jemi më efikas para portës. Por, mbrojtja është çelësi i suksesit”, ka thënë ai.
Ndjenja e Salibas për të pritur dhe forca e Upamecanos kanë kryer punë deri më tani. Jules Kounde ka impresionuar në krahun e djathtë. Mbrojtësi i majtë, Theo Hernandez ishte vendimtar ndaj Belgjikës me një ndërhyrje të jashtëzakonshme ndaj Yannick Carrascos. Ndërkohë, portieri Mike Maignan bëri 12 pritje vendimtare, dy prej tyre ndaj Romelu Lukakut dhe Kevin De Bruynes.
Franca ka mposhtur Belgjikën në të gjitha pesë përballjet në ngjarjet e mëdha.
“Me Mike Maignan kemi portierin më të mirë në turne. Ai është në nivel shumë të lartë dhe na mban në lojë”, ka thënë ish-trajneri i Romës, Rudi Garcia. “Kemi qenë solid në mbrojtje dhe kjo mund të na dërgojë larg”, ka vazhduar trajneri i njohur.
Franca takohet me Portugalinë në çerekfinale.