Përzgjedhësi i Turqisë në futboll, Vincenzo Montella, është ndarë i kënaqur me paraqitjet në Kampionatin Evropian “Gjermania 2024”.
Montella ka theksuar se Turqia në të ardhmen do të vlerësohet më ndryshe nga përfaqësueset e tjera.
“Unë e shikoj të ardhmen me shumë besim. Mendimi im pas këtij kampionati evropian është se Turqia do të shihet më ndryshe në të ardhmen, ndoshta me më shumë respekt”, u shpreh Montella, shkruan “Reuters” të dielën.
Italiani Montella ndër të tjera e ka lavdëruar të riun e Real Madridit, Arda Guler.
“Ai luajti një Kampionat Evropian të shkëlqyer. Ai nuk ka luajtur rregullisht në këtë nivel. Ai ka lindur në vitin 2005 dhe nuk është ende 20 vjeç. Kjo përvojë do ta bëjë atë një lojtar shumë më të mirë”, deklaroi Montella.
Turqia të shtunën mbrëma është eliminuar nga Holanda me rezultatin 2:1 në çerekfinale të “Euro 2024”.
Në një të tetën e finales, Turqia e mposhti Austrinë me rezultatin 2:1. Fazën grupore në Evropianin “Gjermania 2024”, Turqia e mbylli në pozitën e dytë në grupin F me gjashtë pikë.