Euro 2024

Modriqi kërkon të shkruajë më tepër histori, derisa Kroacia takohet me Spanjën

Modriq

Gati dy dekada pasi debutoi për Kroacinë në ngjarje të mëdha, mesfushori Luka Modriq kthehet në Gjermani për të udhëhequr përfaqësuesen e tij në Euro 2024. Spanja është kundërshtarja e parë e Kroacisë, që po kërkon trofeun e parë ndërkombëtar.

Ndeshja Spanjë – Kroaci zhvillohet të shtunën prej orës 18:00 në Berlin. I takon Grupit B ku janë edhe Shqipëria e Italia.

Është përballja e katërt mes Kroacisë dhe Spanjës në Kampionate Evropiane. Por Modriqi ende e shijon mundësinë për t’u përballur me përfaqësuesen e vendit ku luan për kohë të gjatë dhe atë me shumë sukses.

“Kemi luajtur me Spanjën disa herë kështu që i dimë të gjitha detajet që do ta vendosin sfidën. Duhet të jemi në maksimumin tonë në secilin moment dhe të kujdesemi për këto detaje. Asnjë nuk bëhet e mërzitshme duke luajtur këto ndeshje të mëdha”, ka thënë Modriq të premten në konferencën për shtyp të mbajtur në “Olympiastadion”, ku edhe zhvillohet ndeshja.

I shoqëruar nga selektori Zlatko Daliq, 38-vjeçari foli për moshën, përvojë dhe kujtimet e udhëheqjes së Kroacisë në ngjarjet e mëdha, ku ka një vend të dytë dhe një të tretë në Kupë të Botës.

“Gjithnjë kam thënë se nëse dikush do të më jepte një copë letër dhe të më thoshte të shkruaj se çka dua të arrij në karrierë, do të frikësohesha të shkruaj gjitha këto. Kështu që nuk kam pritur të ndodhë gjithë kjo”, ka thënë ikona kroate.

“Pas kaq shumë vjetësh unë jam ende këtu dhe jam i lumtur që jam këtu”, ka shtuar mesfushori i Real Madridit.

Selektori kroat, Daliq, ka thënë se Spanja mundohet ta dërgojë topin përpara shumë më shpejt se në të kaluarën. Sipas Daliqit, Kroacia duhet të jetë e kujdesshme ndaj këtij rreziku.

“Fillimisht spanjollët luajtën me posedim dhe tiki-taka dhe imponuan atë mënyrë loje. Kanë shkatërruar kundërshtarët, i kanë lodhur ata. Tani është më ndryshe. Kanë sulmuesin e qendrës, kanë Alvaro Moratan, kanë lojtarë të shpejtë në krahë, kështu që janë më të drejtpërdrejtë. Luajnë më shpejtë tani”, ka thënë Daliq.

Selektori spanjoll, Luis de la Fuente ka thënë se në aspektin individual kanë shumë talent. Sipas tij, nëse e bashkojnë talentin e të gjithëve atëherë suksesi nuk do të mungojë.

“Të përfaqësoj Spanjën është përgjegjësi e madhe për mua. E prezantojmë vendin, tifozët. Por duhet të jemi të qetë, duam të fillojmë mirë”, ka thënë De La Fuente.

Spanja nuk llogaritet në mesin e favoriteve më të mëdha dhe selektori De La Fuente është pyetur për këtë.

“Jemi ekip i fortë dhe mund të garojmë në nivelin më të lartë. Trajnerët e përfaqësueseve të tjera e dinë këtë. E nisim kampanjën ndaj një përfaqësuese jashtëzakonisht të fortë kështu që duhet të jemi në nivelin më të mirë”, ka shtuar selektori spanjoll.

Për të dy përfaqësueset fitorja do të ishte hap shumë i rëndësishëm drejt kalimit të grupit më të vështirë në Evropianin në Gjermani.