Euro 2024

Mijëra njerëz presin Zvicrën në Zuerich, flasin Xhaka e Shaqiri

Xherdan Shaqiri

Ekipi përfaqësues i Zvicrës është pritur nga mijëra njerëz në Zuerich, të dielën pasdite. Tifozët e shumtë ishin mbledhur për ta përshëndetur suksesin e helvetikëve në “Euro 2024”.

Zvicra të shtunën u eliminua nga Anglia në çerekfinale të Kampionatit Evropian të Futbollit. Anglia avancoi tutje pasi ishte më e mirë në penallti. 

Por tifozët e Përfaqësueses zvicerane janë ndarë shumë të kënaqur me paraqitjen e futbollistëve.

“Mendoj se të gjithë lojtarët ishin brilantë. Por Xhaka sidomos më ka impresionuar që ka luajtur përkundër lëndimit. Kjo dëshmon cilësitë e liderit”, ka thënë Ursula nga Zuerichu, një tifoz që u paraqit në pritje pasi udhëtoi të dielën nga Duesseldorfi, ku edhe u zhvillua ndeshja. 

Selektori i Zvicrës, Murat Yakin, drejtori Pierluigi Tami dhe presidenti i Federatës së Futbollit të Zvicrës, Dominique Blanc, treguan për emocionet në Evropian, në një konferencë për shtyp në Stuttgart. Më pas helvetikët janë nisur drejt Zuerichut.

Pas mbërritjes në Zuerich, lojtarët kanë dalë në skenë.

Prej lojtarëve i pari që foli ishte kapiteni Granit Xhaka.

“Faleminderit për përkrahjen, qoftë sot apo edhe në stadiume. I kemi ndier përkrahjen dhe euforinë. E kemi shtyrë veten deri në limite dhe mund të jemi krenarë për këtë. Pa dyshim se është e dhimbshme, por skuadra dhe i gjithë stafi në përgjithësi kanë dhënë paraqitje shumë të mirë. Mund ta shohim se njerëzit janë shumë krenarë me ne”, ka deklaruar Xhaka para mijëra të pranishmëve.

Ka folur edhe Xherdan Shaqiri, që shënoi një supergol ndaj Skocisë dhe luajti shumë mirë ndaj Anglisë për minutat që iu dhanë. E konkretizoi penalltinë dhe madje goditi traversën pak para fundit, direkt nga korneri.

“Të gjithë ishin të uritur për suksese. Ka shumë lojtarë të rinj që kanë avancuar shumë. Ne nuk jemi më Zvicra e vogël. Kemi treguar edhe një herë tjetër se mund të përballemi me ekipe të mëdha”, ka thënë fillimisht Shaqiri.

Ai ka folur edhe për golin e bukur ndaj Skocisë në ndeshjen e dytë të fazës grupore,si dhe për traversën nga korneri.

“E kam provuar disa herë në Amerikë dhe kam shënuar një herë. Shpresoj të funksionojë në turnetë e tjerë”, ka thënë Shaqiri.

Ndërkohë Manuel Akanji, i cili ishte i vetmi që e humbi penalltinë ndaj “Tre luanëve”, tha se shpreson që të tjera suksese të arrihen në ngjarje të tjera të mëdha.

“Atmosfera ka qenë mbresëlënëse dhe e kemi ndier edhe ne lojtarët në fushën e lojës. Ne pa dyshim se do të mund të kishim paraqitje edhe më të mira, por shpresojmë që do t’ia arrijmë në turnetë e tjerë të mëdhenj”, është shprehur Akanji.

Selektori Murat Yakin është pritur me ovacione nga tifozët.

“Evropiani ishte i shkëlqyer, fantastik, duke iu falënderuar edhe tifozëve. Kemi luajtur futboll fantastik”, ka thënë Yakin.

Festa me tifozët ishte e bukur dhe kjo ishte tjetër dëshmi që paraqitjet e Zvicrës në Evropian kanë bërë shumë njerëz për vete.