Polaku Kacper Kozlowski është lojtari më i ri që ka luajtur në Kampionatin Evropian të futbollit. Kur luajti në “Euro 2020”, Kozlowski i kishte 17 vjet e 246 ditë.
Ai rekord megjithatë kërcënohet seriozisht në “Euro 2024”, shkruan sajti zyrtar i UEFA-s. Është ylli i ri i Spanjës, Lamine Yamal, që pritet të jetë rekordmen i ri. Kur Spanja të takohet me Kroacinë në xhiron e parë të fazës grupore në “Euro 2024”, Yamali do t’i ketë 16 vjet e 338 ditë. Yamal jo vetëm që pritet të luajë, por ka gjasa të mëdha të jetë startues.
Evropiani i kaluar ishte edhe i futbollistëve të rinj. Kozlowski, që ishte pjesë e skuadrës polake Pogon Szczecin, theu rekordin që e kishte vendosur gjashtë ditë më herët Jude Bellingham i Anglisë. Bellinghami kishte luajtur me 17 vjet e 349 ditë, ndërsa mesfushori polak i kishte 17 vjet e 246 ditë kur hyri në vend të Mateusz Klich në barazimin 1:1 ndaj Spanjës, në fazën grupore.
Jetro Willems i Holandës kishte luajtur në vitin 2012 me 18 vjet e 71 ditë. Enzo Scifo i kishte 18 vjet e 115 ditë kur luajti për Belgjikën në “Euro 1984”. Ndërkohë Jamal Musiala luajti për Gjermaninë në “Euro 2020” me 18 vjet e 117 ditë. Këta janë futbollistët më të rinj që kanë luajtur deri më tani në kampionate evropiane.
Sa u takon portierëve, më i riu që ka luajtur në kampionatin kontinental është Jose Angel Iribar. Ai ishte paraqitur për Spanjën ndaj Hungarisë më 17 qershor të vitit 1964, kur i kishte 21 vjet e 108 ditë.
Më i riu që ka shënuar gol në Kampionat Evropian është Johan Vonlanthen. Ai kishte realizuar në ngjarjen e madhe me 18 vjet e 141 ditë. Kjo kishte ndodhur më 21 qershor të vitit 2004, në humbjen 3:1 të Zvicrës nga Franca. Vonlanthen ishte te Zvicra.
Me 18 vjet e 4 ditë, Bellinghami, ylli aktual i Anglisë, është më i riu që është paraqitur në ndeshje të fazës nokaut në Evropian.
Ndërkohë më i riu që është paraqitur në finale është Renato Sanchez i Portugalisë. Ai luajti në ndeshjen finale në “Euro 2016” me 18 vjet e 328 ditë.
Sa i takon më të riut që ka shënuar gol në finale, duhet të kthehemi shumë mbrapa. Pietro Anastasi i kishte 20 vjet e 64 ditë kur realizoi për Italinë, në finalen e përsëritur ndaj Jugosllavisë së atëhershme, në vitin 1968.
Yamali mund të thyejë një pjesë të konsiderueshme të këtyre rekordeve në Evropianin në Gjermani, që fillon të premten.