Euro 2024

Me apo pa maskë, Evropiani shkoi keq për Mbappen

Kylian Mbappe

Edhe pa maskë, Kylian Mbappe u la në hije nga supertalenti 16-vjeçar.

Mbappe hoqi maskën në gjysmëfinalen e së martës mbrëma të cilën Franca e humbi 2:1 nga Spanja. Ai luajti me maskë që kur lëndoi hundën në ndeshjen hapëse të Francës ndaj Austrisë. Por ishte Lamine Yamal që mori gjithë vëmendjen në gjysmëfinale. Ai shënoi supergol për ta udhëhequr Spanjën drejt finales. U bë lojtari më i ri që shënon gol në Kampionate Evropiane dhe u shpall më i miri i ndeshjes.

Yamali të dielën paraqitet në finale të Evropianit, një ditë pasi t’i mbush 17 vjet. Ndërkohë Mbappe do të jetë në pushim para se t’i bashkohet skuadrës së re, Real Madridit.

“Kam synuar që të jem kampion i Evropës, kam synuar të kem Evropian të suksesshëm. Por nuk e kam arritur as njërën e as tjetrën”, ka pranuar superylli francez.

“Është dëshpëruese, duhet të shkojmë në pushime. Do të pushoj mirë. Mendoj se më duhet kjo që të kthehem i freskët dhe të kem fazë vërtetë të mirë përgatitore”.

Selektori i Francës, Didier Deschamps tha të hënën se Mbappe do të duhet ta mbajë maskën për javë apo muaj të tërë. Kështu që ishte befasi kur ai doli në fushën e stadiumit në Munih pa maskën që i shkaktoi shumë telashe në ndeshjet e kaluara.

“Nuk kam mundur të shoh mirë me maskë”, ka treguar Mbappe. “Kam folur me mjekun. Ai më tha të marr vendimin si burrë  dhe nuk jam pishman”.

Evropiani në Gjermani nuk ka shkuar sipas planit për Francën dhe Mbappen edhe para ndeshjes gjysmëfinale. Asnjë lojtar i Francës nuk shënoi nga loja e hapur deri të martën. Mbappe kishte një gol nga penalltia, ndërsa Franca përfitoi edhe nga dy autogola të lojtarëve kundërshtarë.

Gjithsej gjatë turneut në Gjermani, Mbappe i kishte 23 tentime për të shënuar gol. Vetëm Deco në Euro 2004, kishte më shumë tentime, pa llogaritur penalltitë, që nuk sollën gol. Deco i kishte 24 tentime.

25-vjeçari Mbappe e ka vlerësuar përvojën e vënies së maskës si “horror të vërtetë”. Heqja e saj dukej që kishte efekt të menjëhershëm. Ai në minutën e nëntë krosoi mjeshtërisht për golin e shënuar nga Randal Kolo Muani. Fare në fund Mbappe kishte një rast të mirë dhe pritej të shënonte për 2:2. Por gjuajti mbi portë.

“Mendoj se është dashur të shënoj në atë rast, apo të paktën të gjuaj në kornizë të portës. Shkoi mbi portë dhe ky është realiteti i vështirë i futbollit”, ka thënë Mbappe.