Euro 2024

Kush është gjyqtari i dënuar për kurdisje që do ta drejtojë gjysmëfinalen Holanda – Anglia

Holanda - Anglia

Gjermani Felix Zwayer do të jetë gjyqtar kryesor i gjysmëfinales së “Euro 2024” ndërmjet Holandës dhe Anglisë që nis në orën 21:00 dhe luhet në Dortmund.

Ai ka histori jo të mirë edhe me Jude Bellinghamin, njërin prej lojtarëve më të mirë anglezë aktualisht.

Gjyqtari 43-vjeçar nga Berlini do të ndihmohet nga Stefan Lupp dhe Marco Achmuller, ndërsa në VAR është Bastian Dankert.

Do të jetë ndeshja e dytë në të cilën Zwayer është i përfshirë në një ndeshje të Holandës. Ai kishte drejtuar edhe duelin Holanda – Rumania, që kishte përfunduar 3:0 në të mirë të holandezëve në një të tetën e finales.

Para atij dueli, Zwayer ishte gjyqtar në ndeshjen Shqipëria – Italia, dhe Portugalia – Turqia.

Të mërkurën mbrëma, gjermani do ta ndajë të njëjtën fushë me mesfushorin e “Tre Luanëve”, Bellingham. Kjo dyshe ka histori nga e kaluara.

Në dhjetorin e vitit 2021, Bellinghami pranoi gjobë prej 40 mijë eurove nga Federata e Futbollit e Gjermanisë, për komentet pas disfatës 3:2 të Dortmundit nga Bayern Munichu.

Bellinghami nuk kishte qenë i kënaqur me paraqitjen e Zwayerit pasi sipas anglezit, u ishin mohuar penallti, ndërsa një tjetër ishte dhënë për Bayern Munichun, pas prekjes me dorë të Mats Hummelsit. Bellinghami në atë kohë ishte anëtar i Dortmundit, ndërsa tani luan për Real Madridin.

Gjykata sportive e Federatës gjermane të futbollit e kishte vlerësuar deklaratën e Bellinghamit si “sjellje jo sportive”.

Pas ndeshjes, Bellingham kishte thënë për ViaPLay: “Ia besoni ndeshjen më të madhe në Gjermani, një gjyqtari që ka kurdisur lojë – çfarë prisni? Për mua, nuk ishte penallti. Hummelsi nuk ishte duke e shikuar fare topin dhe ishte duke luftuar ta fitonte atë dhe topi e qëlloi atë. Mund të shikoni disa vendime të kësaj ndeshjeje”.

Bellinghami i referohej dënimit gjashtëmujor të Zwayerit nga Federata e Futbollit e Gjermanisë për përfshirjen e tij në skandalin e kurdisjes së një ndeshjeje në vitin 2005.

Zëayer e kishte pranuar se ka marrë para nga Robert Hoyzer, një gjyqtar tjetër, i cili ishte përfshirë në kurdisje katër vjet para se të promovohej në Bundesligë.

Duke i mbrojtur vendimet pas komenteve të Bellinghamit, Zëayer i cili mori menjëherë pushim dy muaj – ka thënë për “Sky Germany”: “Situata ishte goditje nga këndi. E shoh ndeshjen dhe kishte prekje nga Hummelsi. Dyshimi për mua ishte: A është dora e larguar nga trupi apo jo? Në kohë reale, nuk dukej shumë qartë nëse dora kishte lëvizur drejt topit. E kam shikuar me VAR në Koeln dhe më pas u shikua edhe pozita e dorës. Asistenti i VAR-it tha se dora e Hummelsit ishte larg nga trupi dhe në pozitë jo natyrale. Në fund, ai e devijoi qartë topin me bërryl dhe erdha në përfundim se është penallti”.

Selektori Gareth Southgate insiston se caktimi i një gjyqtari që më parë ka qenë i suspenduar, nuk i bën përshtypje, pasi Southgate i beson vendimit të UEFA-s.

Shqetësime rreth këtij gjyqtari nuk ka pasur as Luke Shaw në konferencën për shtyp të hënën.

Federata angleze ka refuzuar të flas për këtë çështje, shkruan “Sky Sports” të martën mbrëma.