Jude Bellingham ka bërë të ditur se ka marrë këshilla nga Jimmy Floyd Hasselbaink për gjuajtjen e penalltive në ndeshjen çerekfinale ndaj Zvicrës të shtunën mbrëma, dhe i ka “fshirë kujtimet jo të mira”, nga dështimet e kaluara të anglezëve.
“Tre Luanët” shtatë herë janë eliminuar në penallti, përfshirë edhe disfatën nga Italia në “Euro 2020” në finalen e para tre vjetëve.
Anglia kishte pësuar në penallti edhe në vitet 1990, 1996, 1998, 2004, 2006 dhe 2012.
Megjithatë, Anglia i ka fituar tri nga katër ekzekutimet e penalltive nën drejtimin e Gareth Southgatet. Triumfi i fundit ishte ndaj Zvicrës në Duesseldorf, pasi koha e rregullt dhe vazhdimet ishin mbyllur 1:1.
Të gjithë pesë ekzekutuesit e penalltive, Cole Palmer, Bellingham, Bukayo Saka, Ivan Toney dhe Trent Alexander-Arnold, realizuan për fitoren 5:3.
Më pas, futbollisti i Real Madridit ka shpjeguar rolin e trajnerit dhe ish-sulmuesit të Chelseat, Hasselbaink, në ekzekutimin e penalltisë.
“Është hera e parë që jam përfshirë në penallti, hera e parë që ekzekutova në këso raste”, ka thënë 21-vjeçari Bellingham për “BBC Radio5Live”, shkruan “ESPN” të dielën.
“Nuk kam kujtime të mira nga e kaluara dhe më ka mbetur në kokë penalltia e shënuar nga Andrea Pirlo në vitin 2012. Të mbesin në kokë kujtimet dhe nuk je i sigurt për Anglinë në penallti. Por gjithmonë është mirë të kesh eksperienca të tilla. Unë kisha shumë vetëbesim dhe kam folur me Hasselbainkun. Ai ka pasur rol të rëndësishëm. Ai punon shumë me ne dhe na jep informata. Kështu që është punë e madhe ekipore. Shumë njerëz janë përfshirë në këtë fitore dhe është fitore e madhe ekipore”, ka thënë Bellingham.
Bellinghami e nisi turneun me gol kundër Serbisë në fitoren 1:0, por ai ka theksuar se ka pasur shumë vështirësi më pas.
Mesfushori i Real Madridit realizoi supergol me gërshërë në minutën e 95-të, për ta shpëtuar Anglinë nga eliminimi dhe e dërgoi ndeshjen në vazhdime. Mori edhe një gjobë prej 30 mijë eurove nga UEFA dhe një ndeshje suspendim për gjestin pas festimit të golit.
“Mendoj se e nisa shumë mirë ndeshjen e parë. Ndihesha shumë mirë. Ajo ka qenë një prej ndeshjeve më të mira për Anglinë por të jem i sinqertë me veten, mendoj se dy ndeshjet tjera nuk isha në nivel, është kaq e thjeshtë. Por unë mundohem që ta kthej veten në nivelin më të mirë fizik. Nuk ndalem duke vrapuar dhe nuk ndalem duke luajtur para, duke krijuar e duke shënuar gola. Nuk do të ndalem asnjëherë duke provuar ta ndihmoj ekipin dhe bashkëlojtarët. Do të luftojmë deri në fund”, ka deklaruar Bellingham.