Kthimi i N’Golo Kantes në përfaqësuesen e Francës për Euro 2024, ka gëzuar bashkëlojtarët e tij. Ndikimi i Kantes në pjesën defanzive të mesfushës është shumë i madh. Ai ka munguar te Franca për dy vjet.
Lëndimet, operacioni dhe transferimi në Arabinë Saudite e mbajtën Kanten jashtë ekipit për 24 muaj. Por selektori Didier Deschamps e ktheu për Euro 2024. Ai luajti në dy miqësore dhe po ashtu shfaqi shumë në stërvitje dhe kjo ka gëzuar bashkëlojtarët.
“Kisha përshtypjen se bëhet fjalë për tre lojtarë”, tha Marcus Thuram të shtunën në konferencë për shtyp.
“Sa herë që e kemi në ekip fitojmë. I ka mjaftuar një javë për të dëshmuar se pse ishte një nga mesfushorët më të mëdhenj në Evropë”, ka shtuar Thuram.
Të premten Olivier Giroud dhe Benjamin Pavard deklaruan thuajse të njëjtën gjë.
“Ai nuk ka ndryshuar. Është i njëjti lojtar që e njoh prej vitesh te Franca dhe te Chelsea. Është kudo. Është shumë mirë që e kemi këtu”, tha Giroud.
“Është i pabesueshëm. Të enjten isha në ekipin e tij. Dukej që kishim dy lojtarë më shumë. Është ende i njëjti person, gjithmonë i buzëqeshur. Nuk ka humbur asgjë nga aftësitë e futbollit. Ende e shoh shumë të fortë”, tha Pavard.
33-vjeçari Kante i ka 55 paraqitje për Francën. Pritet të jetë startues kur Franca luan ndaj Austrisë të hënën në Duesseldorf.
Trajneri Deschamps ishte shumë i kënaqur me paraqitjet e tij në miqësoret para Evropianit.
Kante gjithnjë është çmuar për modestinë e tij dhe kontributin e madh për skuadrën.