Mesfushori Toni Kroos është optimist për të ardhmen e ekipit gjerman, pavarësisht eliminimit të dhimbshëm nga “Euro 2024”.
Gjermania të premten mbrëma u eliminua në çerekfinale të Evropianit pas humbjes 2:1 nga Spanja në vazhdime.
Kroosi u kthye nga pensionimi në nivel përfaqësuesesh për ta kërkuar Evropianin që po organizohet në Gjermani. Ai luajti në nivel të lartë për nikoqiren, që për afër një dekadë nuk pati paraqitje të mira në turne madhorë.
Para organizimit të Evropianit në Gjermani, Kroosi kishte njoftuar se do të pensionohet nga futbolli aktiv pasi të mbarojë kjo aventurë. Pra ndeshja me Spanjën ishte e fundit për mesfushorin ikonik.
“Dhamë gjithçka në këtë ballafaqim dhe të humbësh kur ishim kaq afër është e hidhur”, ka thënë Kroos për mediumin “ARD”.
“Eliminimi është fokusi im për momentin dhe jo pensionimi, sepse synimi që kishim nuk u arrit dhe ëndrra që kishim tashmë ka mbaruar. Kemi luajtur turne të mirë por kur je kaq afër, eliminimi bëhet edhe më i dhimbshëm”, ka vazhduar tutje Kroos.
34-vjeçari ka insistuar se e ardhmja e futbollit gjerman është e ndritur dhe ka thënë se ky ekip i ka sjellë tifozëve optimizmin sërish.
“Ne të gjithë mund të jemi të lumtur për atë që kemi bërë. Jam i kënaqur që kam arritur ta jap kontributin tim. Mendoj se u dhamë gjermanëve shpresë futbolli sërish dhe kishim përmirësim në lojën tonë nga ndeshja në ndeshje. Mendoj se ekipi do të arrijë sukses në të ardhmen, por sot jemi shumë të mërzitur sepse do të donim të qëndronim edhe më gjatë”, theksoi Kroos.
Mesfushori gjerman largohet me 832 ndeshje të luajtura e 80 gola të shënuar. Ai ka gjashtë trofe të Ligës së Kampionëve, gjashtë Kupa të Botës për Klube, pesë Superkupa të Evropës, katër trofe të La Ligas, katër trofe të Superkupës së Spanjës. Ishte tri herë fitues i Bundesligës dhe i Kupës së Gjermanisë, ndërsa ka fituar edhe nga një herë Superkupën e Gjermanisë dhe Kupën e Mbretit.
Në nivel përfaqësuesesh e ka të fituar Kupën e Botës. Karrierës madhështore të tij i mungon trofeu i Kampionatit Evropian.
