Kroacia ka pësuar gol në minutën e 98-të në ndeshjen ndaj Italisë dhe kështu ka mbetur thuajse pa gjasa për kalim në fazën nokaut të “Euro 2024”. Luka Modriq kaloi në epërsi kroatët me golin e minutës së 55-të. Por Italia nuk u ndal në ndeshjen e së hënës mbrëma dhe golin e barazimit e shënoi përmes Mattia Zaccagnit në minutën e 98-të.
Danny Makkelie, arbitri nga Holanda, është personi më i kritikuar në Kroaci.
“Njeriu që tërboi Kroacinë: Inspektori policor dhe i pëlqyeri i Collinas ‘me sukses’ e përfundoi misionin e ri”, është titulli i gazetës kroate “Sportske Novosti”.
Lojtarët e Kroacisë kanë pasur vërejtje se pse janë dhënë tetë minuta shtesë.
“Nuk e di ku i gjeti arbitri tetë minuta për ta vazhduar ndeshjen”, ka thënë kapiteni Modriq.
Por sipas “Sportske Novosti”, minutat shtesë nuk ishin problemi i vetëm. Gazeta kroate ka shkruar se arbitri holandez edhe me vendime tjera ka “dërguar ujë në mullirin e Italisë”.
“Italianët kanë bërë disa faulle të dukshëm që nuk u janë referuar. Neve na ka referuar të gjitha. Dhe të gjitha kanë shkuar në të mirë të azurëve. Vështirë që Makkelie do të shpjegojë pse nuk dha menjëherë penallti për Kroacinë, por i është dashur asistimi i VAR-it. Ishte afër, i vendosur shumë mirë, ndërsa loja me dorë është vërejtur qartë”, vazhdon shkrimi i gazetës kroate.
Sipas “Sportske Novosti”, më së shumti gjashtë minuta është dashur të vazhdohet ndeshja.
Danny Makkelie është inspektor policor dhe konsiderohet i pëlqyer i Pierluigi Collinës.
Sajti tjetër kroat, “germanijak.hr” ka shkruar se gishti mund të drejtohet kah Makkelie, arbitri me vendime kundërthënëse gjatë karrierës. Por sipas këtij mediumi kroatët duhet të shikojnë njëri-tjetrin në sy dhe të thonë se ku është problemi i vërtetë për kampanjën dëshpëruese në “Euro 2024”.
“gol.hr” ka shkruar se “arbitri holandez është i njohur për skandale dhe që shtyn para Serbinë e Anglinë”.
“Na i vodhi ëndrrat dhe ky nuk është skandali i parë”, është një tjetër titull në mediat kroate për arbitrin holandez.