Kampionati Evropian i futbollit në Gjermani përfundoi me Spanjën fituese. Në “Euro 2024” ka pasur shumë ndeshje të mira, kurse UEFA të mërkurën ka përzgjedhur dhjetë më interesantet.
Në mesin e këtyre ndeshjeve, shumica të vendosura në minutat e fundit, ka zënë vend edhe ballafaqimi mes Kroacisë dhe Shqipërisë që përfundoi 2:2.
Ishte ndeshja e dytë e Grupit B, në të cilin Shqipëria u rendit e fundit me një pikë. Pikën e fitoi në ndeshjen dramatike me kroatët.
Qazim Laçi kishte shënuar për 1:0 në minutën e 11, ndërsa Andrej Kramariq shënoi për 1:1 në minutën e 74-t. Dy minuta më vonë, Klaus Gjasula shënoi autogol të pafat. Por mesfushori veteran në minutën e pestë të kohës shtesë realizoi gol për t’ia siguruar pikën e madhe “kuqezinjve”.
UEFA në listën e saj e ka përfshirë edhe ndeshjen e parë të “Euro 2024”, mes Gjermanisë dhe Skocisë.
Tifozët skocezë kishin pritshmëri të larta para nisjes së turneut, por në fund të ndeshjes së parë ishin gjermanët që festuan. Golat e hershëm nga Florian Wirtz dhe Jamal Musiala, i dhanë epërsinë Gjermanisë, para se Ryan Porteus të ndëshkohej me të kuq pasi shkaktoi penallti.
Kai Havertz shënoi për 3:0 nga pika e bardhë. Niclas Fuellkrug shënoi me gjuajtje të fuqishme për 4:0, ndërsa autogoli i Antonio Ruedigerit, ishte shënimi i vetëm i Skocisë në këtë takim. Edhe Emre Can shënoi për Gjermaninë dhe e vendosi rezultatin përfundimtar, 5:1.
Tjetër ndeshje ne mesin e dhjetë më të mirave të Evropianit ishte ajo ndërmjet Turqisë dhe Gjeorgjisë. Turqit fituan thellë, 3:1, kurse Arda Guler kishte shënuar njërin prej golave më të mirë në gjithë Evropianin. Ai u bë lojtari më i ri që shënoi në debutim.
Ndeshje dramatike, UEFA e ka vlerësuar edhe barazimin 1:1 të Kroacisë me Italinë. Me këtë barazim, Italia avancoi tutje, kurse Kroacia u eliminua nga turneu.
Me fitoren 3:2 ndaj Holandës, Austria siguroi vendin e parë në Grupin D, ku ishte edhe Franca. Dhe ajo ndeshje po ashtu është përzgjedhur nga UEFA.
Spanja në raundin e një të tetës së finales e shkatërroi Gjeorgjinë, 4:1, ndërsa fitorja 2:1 e Turqisë ndaj Austrisë, bëri që turqit të shkojnë në çerekfinale. Në këtë ndeshje u shqua portieri Mert Gunok, që bëri pritjen më të mirë në minutën e 95-të.
Fitorja e Spanjës 2:1 ndaj Gjermanisë në çerekfinale u vlerësua prej ndeshjeve më të mira po ashtu. Me rezultatin 2:1, Spanja e kishte mposhtur edhe Francën në gjysmëfinale.
UEFA ndeshjen e dhjetë më të mirë e ka vlerësuar fitoren 2:1 të Anglisë ndaj Holandës në gjysmëfinale.
Spanja e Anglia avancuan në finalen e Berlinit. “La Roja” fitoi 2:1 dhe iu gëzua trofeut të katërt të Kampionatit Evropian.