Ardian Kozniku është prej emrave të mëdhenj të futbollit kosovar dhe shumë i njohur edhe në Kroaci. Kozniku, 56-vjeçar, ishte pjesë e Përfaqësueses së Kroacisë që fitoi medaljen e bronztë në Kupën e Botës 1998. Për Kroacinë i ka luajtur shtatë ndeshje dhe ka realizuar dy gola. I është përgjigjur edhe ftesës së Kosovës, sa herë që për këtë kishte mundësi.
Aktualisht ndihmëstrajner në ekipin nga Kuvajti, Al-Salmiya, Kozniku ka folur për mediumin kroat “Sportske Novosti” në prag të ndeshjes mes Kroacisë dhe Shqipërisë. Ndeshja zhvillohet të mërkurën prej orës 15:00 në Hamburg dhe i takon Grupit B të “Euro 2024”.
Kozniku ka thënë se i janë dashur më pak se pesë sekonda për të pranuar ftesën e Kroacisë. Thotë se gjithnjë do të jetë pjesë e familjes kroate të futbollit. Ai bëri karrierë të suksesshme te Hajduku dhe Dinamo në Kroaci, por edhe në Francë te Cannes, Le Havre e Bastia. Medaljen e bronztë në Botëror e vlerëson pikën kulmore në karrierë.
“Natyrisht, e përcjelli se çka po ndodh në Evropian. Më vjen keq për humbjen e Kroacisë nga Spanja. Pak jam befasuar, duket keq rezultati (3:0), por ekipet e rrezikshme dënojnë çdo gabim të kundërshtarit. Janë edhe dy ndeshje, gjashtë pikë, ndërsa lojtarët tanë nuk bien lehtë moralisht. Kanë përvojë të madhe dhe besoj se do të harrojnë atë që ndodhi në Berlin. I kemi pranuar golat pa fat, ndërsa në lojë ishim aty diku, të barabartë me spanjollët”, ka thënë Kozniku për SN.
Për mediumin kroat, Kozniku ka thënë se te shqiptarët ka eufori për paraqitje në Evropian. Ka treguar se kuqezinjtë kanë përkrahje edhe në Kosovë dhe nga shqiptarët në Maqedoni të Veriut.
“Janë krenarë, ndihet përkrahja e madhe”, ka thënë ish-sulmuesi i njohur.
Ai, megjithatë, favorizon Kroacinë për shkak të përvojës në ngjarjet e mëdha.
“Kroacia është shumë më e mirë, por nuk do të jetë lehtë, duhet kujdes. Kam dëgjuar që selektori Zlatko Daliq disa herë ka përmendur se sa të papërshtatshëm janë shqiptarët dhe kjo është e vërtetë. I kanë disa lojtarë të rinj që për herë të parë janë në Evropian dhe përvoja është në anën kroate. Shqipëria ka treguar energji ndaj Italisë, ishte ngushtë në fund, por kushtoi mungesa e përvojës. Ndoshta pak janë djegur nga dëshira e madhe. Lojtarët e Shqipërisë janë të njohur për agresivitet, shkojnë ‘100 në orë’, japin çdo gjë nga vetja. Përpara janë të gjallë, të shpejtë, vrapojnë shumë, ndërsa faza e mbrojtjes fillon nga sulmi. Janë të fortë, kanë dëshirë të madhe, por besoj që Kroacia do të fitojë”, ka thënë Kozniku.
Të dy ekipet pritet të kenë përkrahje të madhe. Tifozët shqiptarë dhe ata kroatë pritet të jenë shumë të zhurmshëm.
Kozniku ka thënë se shqiptarët dhe kroatët kanë raporte shumë të mira. Ka përmendur ndeshjen mes Kosovës dhe Kroacisë të zhvilluar në Shkodër.
“Tifozët kanë qëndruar bashkë, kanë hëngër, kanë pirë. Kanë bërë tifo së bashku, isha shumë krenar. Uroj që kjo të vazhdojë dhe kështu do të jetë. Në Hamburg duhet të jetë atmosferë e bukur, e vërtetë. Mezi pres, do të kënaqem me futboll. Do të jetë shumë bukur, në njërën anë ngjyrat e flamurit të Kroacisë, në anën tjetër ngjyrat kuqezi”, ka thënë Kozniku.
Ai uron që Kroacia dhe Shqipëria ta kalojnë grupin dhe që Kroacia të shpallet kampione në fund.