Euro 2024

Koeman publikon listën, përfshihen De Jong e Depay

Holanda

Përzgjedhësi i Holandës në futboll, Ronald Koeman, e ka lënë jashtë listës për “Euro 2024”, mbrojtësin e majtë të Dortmundit, Ian Maatsen.

Selektori Koeman të mërkurën e publikoi listën me 26 futbollistë që do të jenë pjesë e Evropianit të kësaj vere në Gjermani.

Lënia jashtë e Maatsenit është vlerësuar befasi, pasi ai ka luajtur rol të rëndësishëm te skuadra e Dortmundit që do të luajë në finale të Ligës së Kampionëve ndaj Real Madridit.

Mesfushori Frenkie de Jong i Barcelonës dhe sulmuesi i Atletico Madridit, Memphis Depay, janë rikthyer nga lëndimet dhe janë përfshirë në listën e Koemanit.

Holanda është në Grupin D, ndërsa ndeshjen e parë e luan ndaj Polonisë më 16 qershor në Hamburg.

Depay ka 44 gola për Holandën, ndërsa golashënuesi më i mirë është Robin van Persie me 50 gola.

Në Grupin D janë edhe Franca dhe Austria.

Nga skuadra e Liverpoolit janë tre futbollistë, Virgil van Dijk, Ryan Gravenberch dhe Cody Gakpo.

Para ndeshjeve të Evropianit, Holanda takohet në miqësore me Kanadanë dhe Islandën.