Një rezervist shpallet më i miri
Ousmane Dembele luajti prej minutës së 67-të për Francën ndaj Portugalisë. Por pas hyrjes në lojë rrezikoi shpesh portën e Portugalisë. Dhe në fund u shpall më i miri i ndeshjes nga UEFA.
“Zëvendësuesi ndryshoi lojën për Francën dhe ruajti nervat për të shënuar penalltinë e tij. Ritmi dhe aftësitë e sulmuesit e bënë atë kërcënim të vazhdueshëm”, kanë vlerësuar ekspertët e UEFA-s.
Franca në gjysmëfinale pa gol nga loja e hapur
Franca në gjysmëfinale të Evropianit pa asnjë gol të shënuar nga loja e hapur.
Ky është ekipi i parë në histori të kësaj gare që e regjistron një gjë të tillë.
Franca ka kaluar tutje nga faza e grupeve dhe 1/8 e finales falë dy autogolave dhe një penalltie.
Joao Felix godet shtyllën, Franca në gjysmëfinale
Franca është gjysmëfinalistja e dytë në Euro 2024. Të premten mbrëma, Franca në çerekfinale e mposhti Portugalinë.
Ndeshja u vendos me penallti. Joao Felix ishte i vetmi që dështoi nga pika e bardhë. Ai goditi shtyllën në serinë e tretë të penalltive.
Ousmane Dembele shënoi fillimisht për Francën, ndërsa Cristiano Ronaldo u përgjigj për Portugalinë. Në serinë e dytë realizuan Youssouf Fofana i Francës e Bernardo Silva i Portugalisë. Më pas realizoi Jules Kounde, kurse goditja e Felixit përfundoi në shtyllë. Seria e penalltive vazhdoi me shënimet e Bradley Barcolas e Nuno Mendesit.
Në serinë e pestë shënoi Theo Hernandez dhe kështu fitorja me 5:3 në penallti i takoi Francës.
Francezët të martën takohen në gjysmëfinale me Spanjën. Ajo ndeshje zhvillohet në Munih.
Portierët e të dy përfaqësueseve nuk e ndalën asnjë penallti. Portieri portugez, Diogo Costa, në ndeshjen e kaluar ndaj Sllovenisë i ndali tri penalltitë e para. Por nuk kishte rast ndaj Francës.
Ndeshja në kohën e rregullt dhe pas dy vazhdimeve nga 15 minuta përfundoi 0:0. Ishte prej ndeshjeve të zbehta të Evropianit në Gjermani.
Rastet në fakt nuk kanë munguar. Cristiano Ronaldo lëshoi rast të artë në vazhdime për Portugalinë, ndërsa te Franca u shqua Ousmane Dembele, sa i takon rasteve të krijuara. Mike Maignan, portieri i Francës, po ashtu kishte disa ndërhyrje vendimtare.
Franca në një të tetën e finales arriti me fitoren e vështirë, 1:0, ndaj Belgjikës. Ajo ndeshje u vendos me autogol. Nuk ka shfaqur shumë as në fazën grupore, por megjithatë tani është në gjysmëfinale.
Kapiteni dhe lideri i Francës, Kylian Mbappe, ka lënë fushën pas përfundimit të vazhdimit të parë. Është dukur se ka telashe me hundën e thyer. Por Mbappe ka shfaqur pak ndaj portugezëve.
Me shumë gjasë kjo është ndeshja e fundit e Cristiano Ronaldos në Evropian, ndërsa mbetet të shihet nëse do të jetë e fundit me Portugalinë. Ai luajti 120 minuta, tentoi disa herë por nuk realizoi. E mbylli Evropianin pa gol të shënuar.
Penallti në ndeshjen Portugali – Francë
Penalltitë do të përcaktojnë gjysmëfinalisten e dytë të Euro 2024.
Portugalia e Franca kanë luajtur ndeshje të zbehtë, ndërsa për 120 minuta nuk u realizua asnjë gol.
Raste kishin të dy përfaqësueset, por ndeshja në përgjithësi nuk ka ofruar shumë.
Mbappe del nga loja
Superylli i Francës, Kylian Mbappe, është larguar nga fusha pas vazhdimit të parë. Ai është parë duke mbajtur hundën e thyer. Barcola hyri në vend të tij.
Vazhdime edhe në ndeshjen Portugali - Francë
Nuk ka fitues pas 90 minutave në ndeshjen Portugali - Franfë. Kishte raste në pjesën e dytë, sidomos për Francën, por jo edhe gola.
Raste të arta për Portugalinë e Francën
Momente më emocionuese po jep pjesa e dytë e ndeshjes mes Portugalisë dhe Francës.
Vitinha kishte rast të mirë për Portugalinë në minutën e 63-të, por Mike Maignan shpëtoi Francën.
Kolo Muani rrezikoi në minutën e 66-të, por goditja e tij u bllokua.
Rezultati mbetet 0:0.
Pa gola në pjesën e parë të ndeshjes Portugali – Francë
Nuk janë shënuar gola në pjesën e parë të ndeshjes Portugali – Francë. Raste kishte pak në ndeshjen e përfaqësueseve që për kapitenë i kanë Ronaldon e Mbappen.
Starton Ronaldo, starton edhe Mbappe
Yjet Cristiano Ronaldo e Kylian Mbappe do të udhëheqin përfaqësueset e tyre në ndeshjen çerekfinale të Euro 2024.
Portugali – Francë zhvillohet prej orës 21:00.
Ronaldo është në sulmin e Portugalisë së bashku me Bernardo Silvan dhe Rafael Leaon.
Mbappe udhëheq sulmin e Francën së bashku me Kolo Muanin. Antoine Griezmann është prapa tyre.
